E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Turizmit shqyrton kërkesat për marrjen e licencave

Kërkesa për zhvillimin e një ndërmarrjeje turistike është kërkesa që bëhet përpara autoritetit të planifikimit, për të marrë leje zhvillimi për një ndërtim të ri apo ndryshim të rëndësishëm si hotel, fshat turistik, kompleks turistik etj. Procedura e kësaj kërkese ka ndryshuar me projektligjin e ri. Komisioni i Standardeve të Turizmit (KST), do të jetë struktura që shqyrton kërkesat për marrjen e licencave, për ripërtëritjen, transferimin apo heqjen e licencës dhe ia paraqet për miratim ministrit përgjegjës, në këtë rast Ylli Pangos. Kriteret dhe procedurat e reja priten që të miratohen me vendim të qeverisë. Sipas projektligjit është përcaktuar se ministri i Turizmit pajis me licencë çdo person, fizik apo juridik, që kërkon të ushtrojë veprimtari për agjentë apo agjenci udhëtimi, operator turistik apo guidë turistike. Njëkohësisht jep certifikatë klasifikimi për njësitë akomoduese, restorantet turistike dhe transportin turistik. Ministri do të ketë të drejtën dhe lejen për ushtrimin e sipërmarrjeve të tjera turistike, sipas ligjit.

Njësitë akomoduese ripërcaktohen në projektligj

Në ligjin ekzistues përcaktimi i sipërmarrjes turistike është më i ngushtë duke përcaktuar shprehimisht se si të tilla veprimtaritë e agjencive të udhëtimit, operatorit turistik në terren, transportit të turistëve, prodhimit ose shitjeve me pakicë të suvenireve apo punimeve artizanale, pikat e tërheqjes së vizitorëve, sportet ujore etj. dhe më pas te nenet e tjera vazhdohet me konceptin e sipërmarrjes turistike duke përfshirë edhe veprimtari të tjera. Projektligji i ri përcakton ndryshe njësitë akomoduese si dhe rolin e tyre. Sipas projektligjit, njësia akomoduese përcaktohet si struktura në pronësi apo përdorim të personave fizikë apo juridikë, të cilët vënë në dispozicion të klientëve, vendas dhe të huaj, individë apo të organizuar në grupe, shërbimet e fjetjes, të ushqimit, pijes, si dhe lehtësitë e duhura në objekte komode, kushte të mira pritjeje nga një staf i kualifikuar, për një kohë qëndrimi të përcaktuar.
Hotelet
Hotel quhet një ndërtesë ose një grup ndërtesash, të pavarura nga ndonjë vendndodhje ndërtimi tjetër, me jo më pak se 6 dhoma, brenda një parcele të vetme toke, ku akomodimi, shërbimet shtesë dhe komoditeti ofrohen për publikun nga një staf i kualifikuar. Ky është përcaktimi i ri sipas ndryshimeve në projektligj.
Fshatrat turistike
Fshat turistik quhet struktura komplekse akomoduese, ku ndërtesat nuk e kalojnë lartësinë e tri kateve, me vendndodhje në zonat turistike, brenda një parcele te vetme toke dhe të përcaktuar, që ofron në mënyrë të përqendruar gamën më të plotë të shërbimeve, akomoduese turistike, shërbimet e veprimtarive turistike, argëtuese e çlodhëse nga një staf i kualifikuar. Ky është përcaktimi i ri sipas ndryshimeve në projektligj.
Shtëpi pushimi
Shtëpitë e pushimit quhen ose kanë një kuptim të njëjtë më hotelin në lidhje me vendndodhjen, por në terma më specifikë. Janë ndërtesa ose një pjesë ndërtese me hyrje të veçantë që menaxhohet dhe operohet nga një staf i kualifikuar me dhoma me komoditet, që ofron për klientët standardet bazë të akomodimit, shërbimeve ndihmëse dhe cilësisë. Dhoma mund të ndahet nga klientët.
Bujtinat
Bujtinë quhet ose ka një kuptim të njëjtë me hotelin, në lidhje me vendndodhjen, por në terma më specifikë. Janë ndërtesa ose një pjesë ndërtese me hyrje të veçantë që menaxhohet dhe operohet nga një staf i kualifikuar, me dhoma me komoditet, për përdorim nga klientët, me ndryshim se elementet sanitare janë parashikuar të jenë raporte të tilla, së paku një tualet dhe dush për çdo 10 persona ose një tualet dhe dush për një kat.
Paketa turistike
Paketa turistike është një kombinim i parapërgatitur shërbimesh, që shitet ose ofrohet për shitje dhe mbulon një periudhë për më shumë se 24 orë ose përfshin një natë akomodim. Ajo përbëhet nga jo më pak se dy prej shërbimeve si transporti, akomodimi dhe shërbime të tjera.
Restorant
Restoranti është një sipërmarrje e furnizimit me ushqimin e lejueshëm për publikun, ku qëllimi kryesor është shitja e ushqimit për konsum, jashtë ose brenda mjedisit, me shërbim në tryezë ose banak, në përputhje me standarde të përcaktuara.

23 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›