Protestat e dhunshme po e shtyjnë Serbinë drejt izolimit
Pas sulmeve kundër ambasadave të huaja është kthyer sërish qetësia në Beograd. Tribuna e mitingut të dhunshëm është zhdukur dhe para ndërtesave të ambasadave janë vendosur njësi speciale dhe forca të shumta policore. Megjithatë, kjo duket e vonuar pasi kur u sulmuan ambasadat policia nuk ishte prezente në vendngjarje. Në komentin e tij të parë, ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç, nuk ka nguruar të mbrojë forcat e sigurisë. ”Policia ka reaguar shpejt edhe pse ndoshta nuk është dukur kështu. Por po të marrësh parasysh njerëzit e panumërt në rrugë, nuk ka qenë e domosdoshme të siguroheshin vetëm ambasadat, por edhe i gjithë manifestimi me disa qindramijëra pjesëmarrës”, - është shprehur ai.
Në të njëjtën kohë, një politikan i kampit qeveritar properëndimor i ka dënuar këto akte të dhunshme. Ai ka deklaruar se vandalët e paktë nuk përfaqësojnë ndjenjën kolektive të popullsisë serbe. Këtë e vërtetojnë edhe reagimet e qytetarëve të Beogradit në rrugë. “E tmerrshme. Kjo është paradigma e asaj që na ndodh. Natyrisht që dëmton prestigjin tonë. Përse do të na duartrokiste bota, për një gjë të cilën e dënojmë vetë këtu?”. Një tjetër zyrtar flet për një sindromë të pashërueshme. "I jam lutur Zotit që i vdekuri në Ambasadën amerikane të mos ishte qytetar amerikan. Përndryshe, ndoshta amerikanët do të na kishin bombarduar të pasnesërmen”. Pamjet e shëmtuara që ndodhën në Beograd janë dënuar edhe nga disa media serbe. “Kjo nuk është Serbia”, - është titulli kryesor i një gazete të Beogradit.
Ndërsa kryeministri serb, Koshtunica, gjatë një njoftimi për shtyp ka shprehur keqardhjen për ngjarjet e fundit, megjithatë ai bën përgjegjëse bashkësinë ndërkombëtare. Kjo akuzë i bëhet tani vetë Serbisë. Këshilli i Sigurimit dënoi ashpër sulmet ndaj ambasadave të huaja dhe kujtoi Serbinë se ambasadat janë të pacenueshme. Edhe SHBA-të akuzuan udhëheqjen serbe dhe kritikuan masat e këqija të sigurisë. Protestuesit nuk i bëjnë mirë popullsisë serbe, përkundrazi. Ata jo vetëm kanë hedhur hije mbi manifestimin paqësor, por e kanë shtyrë Serbinë më tej në izolim.
23 Shkurt 2008