Rusia kërcënon NATO-n se do te përdore forcen për Kosovën
Sipas Rogozin, duhet të fitohet respekti i Rusisë në skenën politike ndërkombëtare. UNMIK-u, SHPK-ja dhe KFOR-i kanë shtuar forcat në kufi të Kosovës për moskalimin e serbëve
Nëse NATO-ja dhe Bashkimi Europian sfidojnë Kombet e Bashkuara rreth Kosovës, Rusia mund të përdorë forcën. Kjo ka qenë deklarata e të dërguarit rus në NATO, Dimitrij Rogozin.
“Nëse BE-ja vepron jashtë qëndrimit të përbashkët apo nëse NATO-ja thyen mandatin e vet në Kosovë, këto organizata do të jenë në konflikt me Kombet e Bashkuara”, - është shprehur Rogozin nga Brukseli. Përfaqësuesi rus ka theksuar se në këtë rast duhet të respektohen të drejtat e organizatave dhe nëse kjo nuk ndodh dhuna do të ishte e pashmangshme. “Ne gjithashtu do të na duhet të veprojmë në mënyrë që rregulli të respektohet, do të përdorim dhe forcën e armatosur”, - tha Rogozin. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që të fitohet respekti i Rusisë në skenën politike botërore nëse të gjitha vendet e Bashkimit Europian do të njohin pavarësinë e Kosovës, por edhe nëse NATO do të tejkalonte kompetencat e saj në Kosovë. Rogozin ka sinjalizuar aleancën veriatlantike të mos guxojë të merret me politikë në Kosovë, sepse kjo mund të kishte zhvillim dramatik në kuadër të dialogut Rusi-NATO. “Nuk na pëlqen informacioni sipas të cilit NATO kërkon që në territorin e Kosovës të mos lejohet hyrja e përfaqësuesve të Serbisë, sepse kjo nuk është në mandatin e tyre”, - tha përfaqësuesi rus, i cili u shpreh i sigurt se nëse kjo do të ndodhte, zhvillimet e mëtejshme do të ishin dramatike.
Gjatë ditës së djeshme, autoritetet e Kosovës kanë ndaluar hyrjen e banorëve serbë në territorin kosovar pas paralajmërimit se në veri të Mitrovicës do të mbahej një protestë ku përveç serbëve të Kosovës do të merrnin pjesë edhe banorë nga pjesë të ndryshme të Serbisë. Autoritetet e rendit kanë shtuar numrin e forcave në veri dhe kufijtë po ruhen rreptësisht nga njësitë speciale të UNMIK-ut, SHPK-së dhe KFOR-it. Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës është shprehur se ky veprim synon të parandalojë ngjarje të tjera të dhunshme si ato që kanë ndodhur në Beograd. “Ky vendim është marrë pas ngjarjeve të ndodhura në Beograd me qëllim që e njëjta gjë të mos përsëritet në Kosovë”, - është shprehur Elshani. Sipas tij, në vendkalimet kufitare në Zubin Potok, Leposaviç dhe Merdar janë kontrolluar të gjithë personat që kanë dashur të kalojnë kufirin dhe banorët serbë janë kthyer sërish në vendin e tyre. Elshani ka bërë të ditur se nga Serbia do të lejohen të hyjnë në Kosovë vetëm personat e sëmurë dhe të moshuar. Sipas mediave serbe, autobusët me studentët e Universitetit të Kragujevcit janë ndaluar në pikën kufitare Jarinje në veri të Kosovës.
23 Shkurt 2008