Svoboda e Shultz: Të hapen kutitë
Aristir Lumezi“Qeveria shqiptare duhet të bëjë transparencë dhe hetim të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit në vend”. Ky është qëndrimi që zyrtarë të lartë të së majtës në Strasburg kanë përsëritur qëndrimet e tyre në takime me kryetarin e PS, Edi Rama, i cili ndodhet atje prej dy ditësh. Kreu socialist dhe deputetët që e shoqërojnë u takuan dje me kryetarin dhe nënkryetarin e grupit parlamentar socialist në Parlamentin Evropian, Hannes Svoboda dhe Martin Shultz. Të majtët evropianë në Strazburg dhanë mesazhin se hapja e kutive të votimit duhet të jetë pjesë e hetimit dhe kusht për dhënien fund të bojkotit të opozitës. “Qeveria duhet të jetë e hapur dhe transparente, duke përfshirë dhe hapjen e kutive të votimit, sepse kjo do të tregonte qartë se kush ka të drejtë, ata që thonë se ka pasur manipulime apo ato që thonë se nuk ka pasur të tilla. Ne na nevojitet stabiliteti në vend. Vetëm nëse opozita kthehet në Parlament dhe Qeveria tregohet e hapur dhe transparente mund të kemi një dialog të frytshëm dhe në interes të vendit”, deklaroi nënkryetari i grupit parlamentar socialist në PE, Hannes Svoboda. Gjatë takimit që Rama zhvilloi me presidentin e grupit të socialisteve dhe demokratëve në PE, Martin Shulz ra dakord që opozita duhet të kthehet në Parlament në të njëjtin moment pasi të jetë marrë një vendim për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, i cili do të ushtrojë hetim të plotë përfshi dhe hapjen e kutive. Shulz tha se ky hetim duhet të sigurojë transparencë të plotë, si një bazë për përmirësime të rëndësishme për mënyrën si do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme, me qëllim përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare. Në bisedën e tyre, Shulz dhe Rama ranë dakord gjithashtu që një rrugëdalje për krizën politike aktuale duhet të gjendet urgjentisht dhe mes Qeverisë dhe opozitës duhet vendosur një bazë e re dialogu konstruktiv. Një deklarim i përbashkët erdhi pasi Rama shpjegoi arsyet e bojkotit në Kuvend të PS dhe kërkesat e partisë së tij për transparencë të plotë të procesit zgjedhor. Nga ana e tij, Rama tha se “jemi gati të kthehemi në Parlament, sapo të garantohet vullneti për transparencë të plotë të zgjedhjeve të shkuara, për të garantuar zgjedhjet e ardhshme”. “Sapo të garantohet se objekti i hetimit është i pakufizuar dhe përfshin dhe hapjen e kutive, duke bërë jo që të kemi një përmbysje të rezultatit në tavolinë, por që përmes nxjerrjes në dritën e diellit të të gjithë problemeve të zgjedhjeve, t’i japim fund një sistemi korrupsioni elektoral dhe të hapim një rrugë të re për Shqipërinë”, u shpreh kryetari socialist.