OSSH riorganizon strukturat, ulet numri i drejtorive
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka vendosur, të ulë numrin e drejtorive të Shpërndarjes, të cilat nga 10 janë ristrukturuar në katër. Këto të fundit do të jenë të vendosura sipas shtrirjes, që ju është bërë në katër qytete Shkodër, Tiranë, Elbasan dhe Fier. Ndërkohë që përjashtim nga "reforma" e ristrukturimit nuk kanë qenë as Drejtoritë e Tensionit të Lartë, të cilat nga pesë do të kalojnë në një të vetme me qendër në kryeqytet. Kjo pritet të hyjë në zbatim në mars, si hap i parë i nismës totale, e cila do të pasohet me një tjetër ristrukturim në tre muajt e fundit të 2010-ës. Në një njoftim për shtyp të OSSH-së thuhet se, vendimi për të rigrupuar drejtoritë ndryshon strukturat e menaxhimit dhe të vendimmarrjes. Në fakt çekët e Operatorit të Shpërndarjes, si aksionerët kryesorë paralajmëruan për ndryshime të rëndësishme në kompani, gjatë seancave publike të diskutimit të çmimit të energjisë. Në dhjetor, ata u shprehën se do të bënin të pamundurën për të ulur humbjet, abuzimet dhe shpenzimet e panevojshme dhe kjo reformë e radhës, e cila synon rritjen e efikasitetit do të vijojë. Nga ana tjetër, CEZ ka siguruar se "ndryshimet nëpër drejtori nuk do sjellin asnjë ndryshim në detyrimet e përbashkëta që konsumatorët dhe kompania kanë ndaj njeri-tjetrit". Më tej në njoftimin për shtyp, "pronarët" çekë shprehin se përmes reformimit, synojnë kthimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në një kompani fitimprurëse, profesionale dhe konkurruese në treg.