Raporti nga Brukseli: Kodi i ri dobëson demokracinë
Aristir Lumezi
Kodi i ri Zgjedhor po dobëson demokra-cinë e brishtë në Shqipëri. Claude Moniquet, Presidenti i "Qendrës Evropiane së Inteligjencës Strategjike dhe Sigurisë" me seli në Bruksel, një nga njohësit shumë të mirë të situatës politike në Ballkan pas viteve '90 por dhe në Shqipëri jep alarmin e dobësimit të demokracisë në vend përmes reformës zgjedhore. Raporti cilëson se ndryshimet kushtetuese të 21 prillit janë bërë për interesa të kryetarëve të partive kryesore, Rama dhe Berisha. "Pas 6 muajsh nga adoptimet e amendamenteve Kushtetues nga Parlamenti, vonimi i hartimit të Kodit të ri Elektoral ilustron dyshimet e frymëzuar nga reforma e trumbetuar nga Rama dhe Berisha. Projekti i ideuar nga dy forcat më të mëdha politike krijon më tepër probleme sesa zgjidh", shprehet Moniquet në raportin e tij. Sipas tij, kjo reformë shënon hapa prapa. "Duke kërkuar të eliminohet më tepër sesa gjysma e përfaqësimit politik në Shqipëri, kjo reformë mund të shikohet vetëm si një hap prapa në procesin e gjatë dhe të vështirë të demokratizimit të Shqipërisë, që filloi në vitin 1991. Skepticizmi i votuesve dhe i vëzhguesve ndërkombëtar kanë përforcuar dyshimet mbi karakterin e dëmshëm të këtyre amendamenteve", shprehet Moniquet. Raportuesi shprehet se nëse partitë e vogla përjashtohen nga skena politike, diskutimi publik do të dobësohet dukshëm, duke pasur parasysh natyrën e dobët përfaqësuese të forcave kryesore politike. Duhet të kujtojmë që në zgjedhjet e kaluara të vitit 2007 PS dhe PD fituan mes tyre vetëm 43 % të votave. Moniquet vëren se këto amendamente kanë ndryshuar mjaft balancën e pushtetit në sistemin shqiptar në avantazhin e kryeministrit. Sistemi i kontrolleve dhe balancave, i cili është një model qeverisjeje për shtetet demokratike, është influencuar dhe dobësuar nga reforma e trumbetuar nga PS dhe PD.