Vasili: Ndërkombëtarët duhet të shpëtojnë zgjedhjet e lira
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha dje se hartimi i Kodit Zgjedhor po dështon për shkak të sjelljes së PD e PS. Për këtë arsye, LSI kërkon ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. "E gjithë ecuria e hartimit të Kodit Zgjedhor dhe sjellja e PD dhe PS dëshmojnë qartë se ky proces i mbyllur, korruptiv ka degraduar dhe papërgjegjshmëria e këtyre dy forcave politike po përgatit shkatërrimin e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri", tha Vasili. Për këtë çështje, LSI është vënë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet më të larta evropiane si Komisionin Europian, OSBE, ODIHR, Departamentin Amerikan të shtetit si dhe të gjithë përfaqësuesit më të lartë të trupit diplomatik në Shqipëri. Vasili nënvizoi se të gjithë këta aktorë janë vënë në dijeni për degjenerimin e procesit të Reformës Zgjedhore. "Sot është momenti që të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe SHBA duhet të ndërhyjnë në mënyrë të menjëhershme dhe të ushtrojnë të gjithë presionin e duhur për të parandaluar prishjen e zgjedhjeve te ardhshme", tha Vasili në deklaratën e tij për shtyp.