Adoleshentët arrestohen për vjedhje banese
Tiranë – Arrestohen dy adoleshentë për vjedhje banese. 17-vjeçari A.L., lindur dhe banues në Bathore, me arsim fillor, si dhe një 14-vjeçar nga Dibra, banues në Bathore, janë arrestuar në flagrancë nga forcat policore të kryeqytetit sepse dyshohet se janë autorë të vjedhjes së banesës së një shtetasi. Sipas policisë, në këtë banesë mendohet të jenë marrë 300 euro, 20 000 lekë dhe disa bizhuteri. Po ashtu burimet policore bëjnë të ditur se adoleshentëve të lartpërmendur u janë dokumentuar tërësisht vjedhjet ndaj dhe u mor masa e arrestit në flagrancë. Së bashku me ta është arrestuar edhe 12-vjeçari R.K, banues në Bathore. Arrestimi i tyre u krye pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer vjedhjen e një kasetofoni tip Kenud, në automjetin furgon, tip Sprinter 212, me ngjyrë të kuqe, me targa TR 0858 K.
Ndalohet nga policia një 16-vjeçar, dyshohet se është shpërndarës droge
Tiranë – I gjendet drogë në çantë dhe arrestohet nga blutë e policisë së Tiranës. 16-vjeçari L.L. po kalonte në rrugën “Qemal Stafa” kur u ndalua nga forcat Seksionit kundër Drogës të kryeqytetit. Gjatë kontrollit të çantës së tij të shkollës, burimet e policisë bëjnë të ditur se forcat antidrogë i gjetën adoleshentit 102.5 gr lëndë narkotike të llojit Cannabis sattiva. Në cilësinë e provës materiale iu sekuestrua sasia prej 102.5 gr e dyshuar narkotike dhe një aparat celular Nokia. Burimet policore bëjnë të ditur se materialet i kaluan Prokurorisë.
4 Prill 2009