E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Shtetit, grup pune për luftën kundër krimit ekonomik



TIRANË - Brenda këtij muaji, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive do të ngrenë grupin e përbashkët të punës për luftën kundër krimit ekonomik. Lajmi është konfirmuar nga burime pranë Avokatit të Shtetit, të cilat pohuan se grupi i punës do të mblidhet në kuadër të memorandumit të mirëkuptimit, nënshkruar midis këtyre dy institucioneve pak ditë më parë. Gjatë takimit të parë mësohet se palët do të bien dakord për termat e referencës për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit si dhe për detyrat, rregullat dhe procedurat e tij. Nëpërmjet memorandumit, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit merr përsipër të ndihmojë Inspektoratin si në aspektin e hetimit, ashtu edhe në përfaqësimin e Shtetit për dëmet që rrjedhin nga fshehja e pasurisë nga persona të ndryshëm. Ndërsa Inspektorati siguron për shkëmbimin e shpejtë të informacionit për të gjithë ata individë të dyshuar për shkelje të ligjit.

Burrel, nxënësja largohet nga shkolla, ishte me ferexhe

BURREL - Nxënësja 14-vjeçare, A. Neviri, është vajza e dytë që nuk lejohet të hyjë në shkollë pasi mban në kokë ferexhenë, në qytetin e Burrelit. Praktikante e besimit mysliman, vajza nuk pranon të heqë ferexhenë, nga ana tjetër drejtoresha e shkollës 9- vjeçare “31 Korriku” nuk e lejon të hyjë në shkollë me pretendimin se ka urdhër nga Drejtoria Arsimore e Rrethit.
Pak ditë më parë, Florida Kola, nxënëse në vitin e tretë të shkollës së mesme “Pjetër Budi” në Burrel, nuk u lejua të ndiqte shkollën pasi kishte fytyrën të mbuluar me shami. Sipas familjarëve të vajzës, Drejtoria Arsimore e Rrethit u kishte sqaruar se arsimi parauniversitar publik ka karakter laik dhe se ndalohet indoktrinimi ideologjik fetar. Historitë e dy vajzave që predikojnë fenë islame dhe që nuk lejohen të ndjekin studimet në shkollat laike nuk janë të vetmet raste në Shqipëri.

4 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›