E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: Tregtia me pakicë, 20 për qind rritje



INSTAT-i na befason sërish me të dhënat rreth aktivitetit privat gjatë 3-mujorit të fundit, duke konfirmuar se ekonomia në Shqipëri nuk është prekur ende nga kriza globale. Sipas Indeksit të volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë në 3-mujorin e katërt të vitit 2008 arriti 184.4 për qind, kundrejt vitit bazë (2005). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 20.1 për qind, kurse krahasuar me 3-mujorin paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 2.5 për qind. Konkretisht, në grupin "Artikuj të përzier, kryesisht ushqimore në njësi tregtare jo të specializuara", indeksi i volumit të shitjeve është rritur 1.7 për qind në këtë 3-mujor krahasuar me atë paraardhës. Edhe në grupin "Tregtia dhe riparimi i automjeteve", indeksi i volumit të shitjeve është rritur 24 për qind, krahasuar me 3-mujorin paraardhës. Brenda grupit "Tregtia, mirëmbajtja dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave", tregtia me pakicë e karburanteve, pësoi një volum shitjeje në rritje me 23.2 për qind krahasuar me 3-mujorin paraardhës. Rrjedhimisht, me zhvillimin e aktivitetit privat, pati edhe rritje të punësimit. Gjithnjë sipas INSTAT-it, indeksi i punësimit në "Tregtinë me pakicë" në 3-mujorin e katërt të këtij viti arriti 174.5 për qind kundrejt vitit 2005, kurse duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky indeks është rritur 19 për qind. Rritje të punësimit me 3.3 për qind kishte edhe në tregtinë dhe riparimin e automjeteve. Ndryshe nga sa thonë ekspertët për një tkurrje të ekonomisë në dy muajt e fundit të vitit 2008, sidomos te tregtia me jashtë dhe te kreditimi, INSTAT-i i paraqiti këto të dhëna pozitive.

4 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›