Ndërtimi i portit të kontejnerëve në Vlorë, tenderi zhvillohet në 15 maj
Më 15 maj do të zhvillohet tenderi i hapur për ndërtimin, shfrytëzimin dhe transferimin e Portit të Kontejnerëve në Pyllin e Sodës, në Vlorë. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit ka shpallur ftesën për pjesëmarrje në procedurën konkurruese për këtë proces. Sipas MPPTT-së, ofertuesit e interesuar duhet të angazhohen se pranojnë kushtet e përcaktuara në ftesën për procedurë konkurruese dhe detyrimet që rrjedhin nga fitimi i procedurës konkurruese. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 15 maj 2009, ditë ku do të bëhet edhe hapja e ofertave në Ministrinë e Transportit. Porti do të jetë në zonën tek "Pylli i sodës". Qeveria angazhohet të përmirësojë infrastrukturën e këtij qyteti përmes këtij investimi, ku sipas ekspertëve të MPPTT-së, infrastruktura do të ngrihet edhe për zonën industriale të këtij qyteti, për të bërë të mundur plotësimin e kushteve të nevojshme për investime në këtë zonë. Krahas portit, në këtë mjedis, do të vendoset edhe zona e lirë, përveç asaj industriale.
Tregtimi i gazit të lëngshëm, 345 subjekte punojnë me aparate të pakontrolluara
Të gjitha pikat e tregtimit të gazit të lëngët (LPG), që nga fillimi i vitit po kontrollohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dhe Kalibrimit për sistemin e matjes, peshore dhe masa vëllimore. Burime zyrtare nga DPM-ja bënë të ditur se për herë të parë u vunë në skemën e kontrollit metrologjik ligjor shpërndarësit e LPG-së për automjetet, si dhe filloi kontrolli dhe verifikimi periodik i këtyre instrumenteve matës. Në dy muajt e parë të vitit u evidentuan 345 subjekte të reja me instrumente matëse të paverifikuara, u inspektuan 166 pika tregtimi të karburanteve, 158 subjekte që tregtojnë bombola të gazit të lëngët, etj. Gjithashtu, u realizuan 56 kalibrime të instrumenteve matës të fushave të ndryshme për klientë të DPM, 27 në fushën e matjeve të volumit, 10 kalibrime në fushën e matjeve të temperaturës, kalibrime në fushën e masës etj.
4 Prill 2009