E Diel, 1 Nëntor 2026

Adoleshentët dembelë, vetëm çereku i tyre kryejnë aktivitet fizik

SHKRUAN: Jonida Tashi 28-04-2011 11:51

Adoleshentët shqiptarë mund të thuhet me plot gojën se janë dembelë përsa i takon kryerjes së aktivitetit fizik. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), vetëm çereku i tyre, më së shumti djemtë, bëjnë disa orë aktivitet fizik në javë. Dy specialistë të Departamentit të Promocionit dhe Edukimit Shëndetësor në ISHP, Jeta Lakrori dhe Andis Karagjozi, kanë përgatitur një material ku shpjegojnë mjaft fakte rreth aktivitetit fizik jo vetëm në vendin tonë, por edhe jashtë tij, pse është i rëndësishëm ky aktivitet dhe sa ndikon negativisht në shëndetin e njeriut mosbërja e tij. Specialistët shpjegojnë se studimi “Mbi monitorimin e sjelljeve me risk te të rinjtë e shkollave të mesme në vendin tonë”, i vitit 2004 tregoi se: vetëm 20% e adoleshentëve kryejnë aktivitet fizik për katër apo më shumë ditë të javës. Kjo prevalencë është 30% për djemtë dhe 13% për vajzat, pra djemtë kryejnë aktivitet fizik më shumë se vajzat. Ndërsa 24% e adoleshentëve të përfshirë në studim nuk kryejnë asnjë lloj aktiviteti fizik, ndërsa për vajzat shkon deri në 30%. Ndërkohë që edhe sipas studimit “Mbi monitorimin e sjelljeve me risk te të rinjtë e shkollave të mesme në vendin tonë”, i vitit 2009, vetëm 14.4% e tyre kanë kryer për të paktën 30 minuta një veprimtari fizike në 5 ose më shumë ditë të javës. Sipas specialistëve të Shëndetit Publik, prevalenca, nëse shohim meshkujt dhe femrat, kemi përkatësisht 18% e meshkujve kryejnë për të paktën 30 minuta një veprimtari fizike në 5 ose më shumë ditë të javës, ndërsa 11.9% e femrave kryejnë për të paktën 30 minuta një veprimtari fizike në 5 ose më shumë ditë të javës, pra djemtë kryejnë aktivitet fizik më shumë se vajzat. Duke marrë shkas nga kjo situatë, që nuk është vetëm për të rinjtë, por pothuajse për të gjitha moshat, specialistët shpjegojnë se në shekullin XXI, aktiviteti fizik nuk duhet të shihet si luks, por si një domosdoshmëri. Sipas tyre, aktiviteti fizik nuk është thjesht një çështje e shëndetit publik, por është mirëqenie dhe investim në brezat e ardhshëm. Të lëvizësh për shëndetin do të thotë që në rutinën e përditshme të përfshijmë aktivitetin fizik. Aktiviteti fizik i rregullt është mjet i rëndësishëm për përmirësimin e shëndetit në përgjithësi, fizik dhe mendor, si dhe zvogëlon shumë rrezikun për sëmundjet kronike të njerëzve. Inaktiviteti fizik apo mosbërja e aktivitetit fizik është identifikuar si faktori i katërt i rrezikut në vdekshmërinë globale nga sëmundjet kronike kryesore si: sëmundje kardiovaskulare, disa lloj kanceresh, diabet tip 2, sëmundje mendore, sëmundje muskulo-skeletike, tensioni i lartë i gjakut, obeziteti etj. Inaktiviteti fizik është përgjegjës për 6% të të gjitha vdekjeve në botë, ndërsa në Rajonin Europian është përgjegjës për rreth 10% të të gjitha vdekjeve ose 600 mijë vdekje në vit. Po ashtu, është vlerësuar që inaktiviteti fizik shkakton 21–25% të kancerit të gjirit dhe të kolonit (zorrës), 27% të diabetit tip 2 dhe rreth 30% të sëmundjes ishemike të zemrës. Ndaj aktiviteti fizik i rregullt ndihmon në mbajtjen e një trupi të shëndetshëm. Sipas specialistëve, personat që janë aktivë fizikisht kanë një rrezik më të ulët për: sëmundje kardiovaskulare, tension të lartë gjaku, goditje në tru, diabet tip 2, kancer gjiri e zorre, osteoporozë dhe depresion. Kanë rrezik më të ulët për rrëzime dhe fraktura të ndryshme dhe për të mbajtur peshën normale si dhe kanë mundësi për të jetuar më gjatë etj.

Sipas specialistëve, janë alarmuese vlerësimet mbi kostot direkte apo të kujdesit shëndetësor dhe kostove indirekte apo humbja e fuqisë ekonomike për shkak të sëmundjeve, paaftësitë për punë të lidhura me sëmundjet, apo vdekjet e parakohshme.

Kështu, sipas dy studimeve të kryera në Zvicër dhe Mbretërinë e Bashkuar, rezulton se inaktiviteti fizik apo mosbërja e aktivitetit fizik i kushton çdo vendi të Rajonit Europian 150-300 euro për qytetar në vit.

18% e meshkujve kryejnë për të paktën 30 minuta një veprimtari fizike në 5 ose më shumë ditë të javës, ndërsa 11.9% e femrave kryejnë për të paktën 30 minuta një veprimtari fizike në 5 ose më shumë ditë të javës

Sa aktivitet fizik duhet për të qëndruar të shëndetshëm

Rekomandohet që individët të angazhohen në nivele të përshtatshme të aktivitetit fizik gjatë gjithë jetës së tyre.

Për shëndetin në përgjithësi: 30 minuta aktivitet fizik i moderuar në pothuajse gjithë ditët e javës ose të paktën në 5 ditë të saj.

Për parandalim të obezitetit: 45-60 minuta aktivitet fizik i moderuar në pothuajse gjithë ditët e javës ose të paktën në 5 ditë të saj.

Për mbajtje të peshës normale: 60-80 minuta aktivitet fizik i moderuar në pothuajse gjithë ditët e javës ose të paktën në 5 ditë të saj.

Rekomandime për fëmijët dhe adoleshentët e moshave 5-17 vjeç

60 minuta aktivitet fizik i moderuar deri në aktivitet fizik intensiv për 5 ditë të javës, që përfshin aktivitete të ndryshme.

Të paktën në 2 ditë të javës duhet të kryejnë aktivitete që forcojnë shëndetin e kockave, forcën dhe fleksibilitetin e muskujve (këmbëve, barkut, gjoksit, shpatullave, dhe krahëve etj.).

Rekomandime për moshat 18-65 vjeç

30 minuta aktivitetit fizik me intensitet të moderuar, për 5 ditë në javë.

20 minuta aktivitet fizik intensiv, për 3 ditë në javë.

Një kombinim i barabartë i aktivitetit fizik të moderuar dhe aktivitetit fizik intensiv.

Të paktën në 2 ditë të javës duhet të kryejnë aktivitete që forcojnë shëndetin e kockave, forcën dhe fleksibilitetin e muskujve (këmbëve, barkut, gjoksit, shpatullave, dhe krahëve etj).

Aktiviteti fizik mund të kryhet në një sesion të vetëm ose në sesione prej 10 minutash secili.

Rekomandime për moshat mbi 65 vjeç

Janë rekomandime të njëjta si për moshat e mësipërme.

Nëse kushtet e tyre shëndetësore nuk mund t’i lejojnë të bëjnë aktivitetin fizik të rekomanduar, ata duhet të jenë fizikisht aktivë aq sa u lejojnë aftësitë e tyre.

Këshilla praktike

Filloni me aktivitete që ju marrin vetëm pak minuta dhe shtojeni atë gradualisht.

Provoni aktivitete të ndryshme, deri sa të gjeni atë që ju pëlqen.

Parkoni makinën larg destinacionit për ku ishit nisur.

Ngjituni ose zbrisni nga autobusi jo në stacionin e duhur.

Ngjisni shkallët në vend të ashensorit në punë, supermarket ose në shtëpi.

Tendoseni trupin disa herë në ditë në tavolinën e zyrës suaj.

Bëni ecje të lirë për 10 minuta çdo ditë.

Luani aktivisht me fëmijët ose kafshët dy herë në javë.

Lani makinën vetë në vend që ta lani atë në lavazh.

Ju duhen vetëm 150 minuta në javë për të qenë aktivë.

Provoni shëtitje 10-minutëshe të shpejta 3 herë në ditë në 5 ditë të javës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›