MASH përcakton 6 testet që do të njihen për mbrojtjen e anglishtes
Ministria e Arsimit përcakton gjashtë testet e njohura ndërkombëtare të gjuhës angleze, që do të njihen në vendin tonë për mbrojtjen e anglishtes, një kusht ky i domosdoshëm për të përfunduar studimet e ciklit të dytë dhe të tretë, ku përfshihen Masteri Profesional, Masteri Shkencor dhe Doktoratura. Gazeta zbardh udhëzim nr.14, datë 28.03.2001, “Për njohjen e testimeve dhe certifikimeve për gjuhën angleze, për programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë në institucionet e arsimit të lartë”. Në këtë udhëzim, që tashmë ka mbërritur edhe në universitete, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka përcaktuar listën e testeve të gjuhës angleze, të njohura ndërkombëtarisht si kërkesë për përfundimin e programeve të studimeve të ciklit të dytë dhe të tretë të ofruara në institucionet e arsimit të lartë, për të gjithë ata kandidatë që i kanë nisur këto studime gjatë vitit akademik 2010-2011. Më konkretisht, lista e testeve të gjuhës angleze, të njohura ndërkombëtarisht, është: Cambridge ESOL (University of Cambridge Examinations); IELTS (International English Language Testing system); TOEFL (Test of English as a Foreign Language); TOEIC (Test of English for International Communication); Michigan–Test; PTE General (Pearson Test of English General). Sipas udhëzimit të ministrit të Arsimit, klasifikimi i aftësive gjuhësore dhe niveleve të kompetencave gjuhësore sipas Kuadrit të Përbashkët Europian të Referencave për Gjuhët (KPERGJ) shërben si standard në Republikën e Shqipërisë për gjuhët e huaja dhe testet gjuhësore. Po ashtu, do të njihen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) testet ndërkombëtare të gjuhës angleze të përcaktuara në këtë udhëzim, të cilat: zhvillohen në Republikën e Shqipërisë ose jashtë saj; kryhen nga subjekte të cilat janë të certifikuara nga qendrat/organizatat që gëzojnë të drejtën e pronësisë intelektuale mbi testet dhe të drejtën e certifikimit bazuar në modalitetet e vendosura për zhvillimin e testeve ndërkombëtare të përcaktuara. Njohje ndërkombëtare nënkupton referencën që testi gjuhësor gëzon ndaj niveleve gjuhësore të përcaktuara sipas kuadrit gjuhësor të nënshkruar nga një vend. Testet e përcaktuara nga MASH kanë referencë ndaj niveleve gjuhësore, të përcaktuara sipas Kuadrit të Përbashkët Europian të Referencave për Gjuhët (KPERGJ); Shoqatës së Testuesve të Gjuhës në Europë (ALTE); Kuadrit Europian të Kualifikimeve (KEK). Ndërkaq, MASH udhëzon universitetet për përcaktimin e nivelit minimal të pranueshëm të kompetencës gjuhësore, si më poshtë vijon; Niveli B2- kompetencë e mjaftueshme gjuhësore, për programet e ciklit të dytë, Master Profesional; Niveli C1- kompetencë operative e kënaqshme gjuhësore, për programet e ciklit të dytë, Master i Shkencave dhe për studimet e ciklit të tretë. Por, sipas udhëzimit të MASH, institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të përcaktojnë nivele të zotërimit të gjuhës angleze më të larta se ato minimale të përshkruara më sipër. Në kuadër të këtij procesi, institucionet e arsimit të lartë duhet të shpallin: listën e testeve të gjuhës angleze dhe vlefshmërinë e tyre kohore; nivelet e kompetencës gjuhësore përkatëse për programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë; subjektet e parashikuara që janë të certifikuara nga qendrat/organizatat që gëzojnë të drejtën e pronësisë intelektuale mbi testet dhe të drejtën e certifikimit, me të cilat institucioni i arsimit të lartë ka nënshkruar marrëveshje të veçanta bashkëpunimi për ofrimin e testimit për studentët (nëse ka). Gjithashtu, MASH udhëzon që “institucionet e arsimit të lartë të përcaktojnë në statutet dhe në rregulloret e studimeve procedurat dhe modalitetet e dhënies së provimit të gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare dhe niveleve të kompetencës gjuhësore të përcaktuar në këtë udhëzim”. Kurse qendrat ose organizatat që gëzojnë të drejtën e pronësisë intelektuale mbi testet dhe të drejtën e certifikimit duhet të lidhin marrëveshje me Ministrinë e Arsimit, me qëllim shkëmbimin e informacionit në lidhje me testimin e gjuhës angleze të studentëve që ndjekin programet e studimeve të ciklit të dytë dhe të tretë, të ofruara nga institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat në Republikën e Shqipërisë.
Niveli B2- kompetencë e mjaftueshme gjuhësore, për programet e ciklit të dytë, Master Profesional; Niveli C1-kompetencë operative e kënaqshme gjuhësore, për programet e ciklit të dytë, Master i Shkencave dhe për studimet e ciklit të tretë.
Përshkrimi i përgjithshëm i niveleve gjuhësore
Në udhëzimin “Për njohjen e testimeve dhe certifikimeve për gjuhën angleze, për programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë në institucionet e arsimit të lartë”, MASH ka bërë edhe përshkrimin e përgjithshëm të niveleve gjuhësore për anglishten. Më konkretisht, përshkrimi i niveleve gjuhësore sipas Kuadrit të Përbashkët Europian të Referencave për Gjuhët (KPREGJ) është si më poshtë.
Niveli A1
Mund të kuptojë dhe të përdorë shprehje të përditshme dhe shprehje bazë që synojnë plotësimin e nevojave konkrete. Mund të prezantojë veten dhe të tjerët dhe të pyesë e të përgjigjet për detaje vetjake si: ku jeton, banon, njerëzit që njeh, sendet që ka etj. Mund të komunikojë në një mënyrë të thjeshtë nëse bashkëbiseduesi flet ngadalë, qartë dhe është i gatshëm ta ndihmojë.
Niveli A2
Mund të kuptojë fjali dhe shprehje të përditshme që lidhen me fusha të nevojës më të domosdoshme, si për shembull, informacion bazë rreth tij dhe familjes, në dyqan, gjeografi lokale, punëve që bën. Mund të komunikojë për detyra të thjeshta dhe rutinë që kërkojnë shkëmbim informacioni të drejtpërdrejtë për çështje të njohura dhe të përditshme. Mund të përshkruajë me terma të thjeshta aspekte të formimit të tij/saj, mjedisit rrethues dhe çështje të fushave me interes të drejtpërdrejtë.
Niveli B1
Mund të kuptojë çështjet kryesore të njohura që hasen rregullisht në shkollë, punë, argëtim etj. Mund të merret vesh (është i aftë të orientohet) në situata të ndryshme gjatë një udhëtimi në vende ku flitet gjuha në fjalë. Mund të hartojë materiale të thjeshta për tema të njohura ose të një fushe të interesit personal. Mund të përshkruajë përvoja dhe ngjarje, ëndrra, shpresa dhe ambicie si dhe të arsyetojë e shpjegojë në mënyrë të përmbledhur mbi opinione dhe plane të ndryshme.
Niveli B2
Mund të kuptojë idetë kryesore të një teksti kompleks mbi çështje konkrete dhe abstrakte, duke përfshirë diskutime teknike në fushën e tij/saj të specializimit. Mund të bashkëveprojë rrjedhshëm dhe spontanisht me folës vendas, pa vështirësi për të dyja palët. Mund të hartojë tekst të qartë, të detajuar rreth një sërë temash si dhe shpjegojë pikëpamjet e tij/saj për një çështje të ditës, duke parashtruar avantazhet dhe disavantazhet për opsione të ndryshme.
Niveli C1
Mund të kuptojë tekste më të gjata me një shkallë më të gjerë kërkesash dhe të kuptojë thënie të tërthorta. Mund të shprehet rrjedhshëm dhe spontanisht. Mund ta përdorë gjuhën në mënyrë elastike dhe efektive për qëllime akademike, sociale dhe profesionale. Mund të hartojë një tekst të qartë, të mirëstrukturuar, të detajuar për tematika komplekse, duke mundësuar përdorim të qartë të organizimit të të menduarit dhe të të shprehurit.
Niveli C2
Mund të kuptojë lehtësisht çdo gjë që dëgjon apo lexon. Mund të përmbledhë informacionin e marrë nga burime të ndryshme të shkruara ose të dëgjuara, duke riformuluar argumentet dhe rezultatet në një prezantim koherent. Mund të shprehet spontanisht, shumë rrjedhshëm dhe saktë, duke dalluar nuancat kuptimore edhe në situatat më komplekse.
Lista e testeve të gjuhës angleze
Lista e testeve të gjuhës angleze, të njohura ndërkombëtarisht, në zbatim të ligjit nr.9741, datë 21.05.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Cambridge ESOL – University of CambridgeExaminations
IELTS – International English Language Testing system
TOEFL – Test of English as a Foreign Language
TOEIC – Test of English for International Communication
Michigan – Test
PTE General – Pearson Test of English General