E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adoleshentët dhe kriza e autoritetit paternalist…



Gëzim Tushi

Kriza e paternalizmit si filozofi e diktimit subjektiv, e drejtimit dhe komandimit arbitrar të jetës së adoleshentëve ka filluar të bëhet një problem social i mprehtë. Ai shfaqet me virulencë të dukshme në të gjithë “institucionet e disiplinës” (familja, shkolla, institucionet fetare). Ne kemi hyrë pa kthim në epokën e shoqërisë së lire, që ka ndikimet e veta në strukturën dhe funksionimin e familjes, shkollës dhe shoqërisë shqiptare. Ato janë në ndryshim të shpejtë, jo vetëm si struktura funksionuese, por dhe si raporte klasike të vartësisë materiale dhe edukative, të parametrave të autoritetit paternalist të prindërve mbi adoleshentët. Kjo dukuri masive ka sjellë shumë keqkuptime edukative dhe sociale në shoqërinë e ditëve tona, nga që shfaqet në shumë fusha të jetës; qoftë si krizë e autoritetit të prindërve, kryesisht të babait në familje (për shkak të natyrës partriarkale të familjes), të mësuesit në shkollën e dikurshme paternaliste, apo si dobësim i autoritetit të shtetit në shoqërinë demokratike.
Zgjerimi i lirisë, i pavarësisë relative të adoleshentëve nga institucionet sociale dhe edukative klasike të shoqërisë, ka krijuar idenë tek një pjesë prej tyre se liria personale është e kundërta e moralit, edukatës dhe diktimit të normave morale me natyrë paternaliste. Në të vërtetë, nuk mund të mohohet se zgjerimi i dimensionit të lirisë personale, i parimeve të liberalizmit në familje dhe shoqërinë shqiptare të ditëve tona, është në thelb një goditje e dimensionit të vjetër të ushqyer nga mentaliteti paternalist, që ka në bazë autoritetin e ekzagjeruar të institucioneve sociale bazë të shoqërisë mbi adoleshentët. Në mënyrë të veçantë, kjo situate konfliktuale është e shfaqur dukshëm në streset që po përjeton familja shqiptare në marrëdhëniet e vështira midis prindërve dhe adoleshentëve. Kriza e dimensionit të vjetër paternalist të autoritetit të prindërve (kryesisht të babait) në familje, është një nga temat e mëdha të sociologjisë, pedagogjisë dhe politologjisë moderne. Nga pikëpamja sociologjike situata në familjen dhe shoqërinë shqiptare është e tillë që na detyron të gjejmë zgjidhjet e duhura, normale, humane, edukative duke bërë ridimensionimin e roleve edukative, duke shmangur atë plagë për të cilën ankohen shumica e prindërve, që ka të bëjë me “krizën e autoritetit prindëror” në marrëdhëniet me adoleshentët.
Autoriteti mekanik i babait, i nënës, i më të rriturit në familje, i mësuesit në shkollë, i klerikut në institucionin fetar, kanë filluar të humbasin idolatrinë e dikurshme mbi adoleshentët. Ato kanë filluar të lëkunden, nga zgjerimi i dimensionit të lirisë në familje, i shekullarizimit të shoqërisë, i zgjerimit të përmasave të demokracisë në shoqërinë tonë të re. Kjo krizë e identitetit të autoritetit në “institucionet e disiplinës”, sidomos në familje, duhet kuptuar dhe interpretuar drejt, sepse në shumë raste ajo po sjell destabilitet, anarki, mungesë mirëkuptimi, ngatërrim rolesh, konflikte sociale, madje në shumë raste edhe me pasoja tragjike. Realitetet e reja duhen kuptuar drejt.
Kriza e autoritetit në familje është më shumë e lidhur më mënyrën dhe paradigmat e vjetra të autoritetit paternalist të prindërve, kryesisht të babait, i cili në familjen tonë patriarkale ka qenë i padiskutueshëm mbi adoleshentët. Që të funksionojë autoriteti, në çdo institucion të disiplinës sociale, më së pari ata që luajnë “role disiplinore dhe edukative”, që kanë përgjegjësi duhet të kuptojnë kohën, imperativat e saj, zgjerimin e të drejtave dhe lirive të pjesëtarëve të tjerë që bashkëjetojnë në një institucion të tillë siç është familja dhe që kanë role të caktuara. Në mendimin sociologjik dhe pedagogjik të kohës sonë ka shumë analiza sociologjike, për ridimensionimin e funksionit edukativ të familjes, për rolin e autoritetit në përgjithësi dhe atij prindëror në shoqërinë moderne. Filozofi i shquar gjermano-amerikan Herbert Markuze, njohës i shkëlqyer i shoqërisë moderne dhe institucioneve të saj, tregon shkaqet se përse në kohën tonë ndihet thellë “…rënia e funksionit shoqëror të familjes”. Sipas tij, “në të kaluarën, ishte familja ajo që mirë apo keq, rriste dhe edukonte individin duke transmetuar tek ai edukatë, rregulla morale dhe vlera sociale të përbashkëta”. Por, tani familja është nën ndikimin e faktorëve të fuqishëm ekstra-familjarë. Ajo është një institucion që po demokratizohet në tërë strukturën dhe funksionet e saj. Rolet e dikurshme, raportet fikse të autoritetit “pa kusht” të prindit mbi adoleshentët kanë pësuar ndryshime dhe ristrukturime të ndjeshme. Situata e autoritetit në familjen shqiptare nuk është më ajo që ka qenë më parë. Në këtë proces ndryshimi, ridimensionimi dhe përmirësimi të raporteve dimensionale të autoritetit midis pjesëtarëve të familjes shqiptare, kanë ndikuar shumë faktorë ekonomikë, politikë, socialë dhe kulturorë.
Në se më parë familja ka qenë strukturë themelore që udhëhiqte procesin e përshtatjes së njeriut në shoqëri, tani gjërat kanë ndryshuar. Roli i familjes shqiptare në këtë aspekt është zbehur. Filozofi i Shkollës së Frankfurtit Maks Hokheimer, ka të drejtë kur duke bërë anatominë e familjes moderne, zbulon dialektikën e autoritetit. Sipas tij, në shoqërinë moderne “kushdo është nën kamxhikun e një instance eprore”. Ata që zotërojnë majat e komandimit kanë vetëm pak përparësi në autonomi, në dallim nga vartësit e tyre; ata shtypen nga pushteti që ushtrojnë”.
Në kohën tonë është e vështirë që me adoleshentët të aplikohen modelet e vjetra të autoritetit paternalist. Aq më tepër, është e vështirë kur ajo shfaqet si “dhunë shpirtërore” imponuese. Paternalizmi edukativ është imponimi i bën adoleshentët qenie me defekte, me aftësi të kufizuara për integrimin e tyre social. Pikërisht edukata e “fortë”, e ngurtë, paternaliste bëhet shkak që adoleshentët të shfaqin paaftësi përballë jetës dhe sfidave të saj. Në këtë aspekt, padituria e disa prindërve nuk është më argument për të besuar në vlerën e edukatës së fortë, me natyrë autoritariste dhe paternaliste, që pengon rritjen, zhvillimin harmonik normal të personalitetit të adoleshentëve, pikërisht në familjen e tij, në këtë institucion të rëndësishëm, që duhet t’i garantojë rritjen normale dhe sigurinë morale. Ata nuk kanë nevojë për dhunë dhe edukatë paternaliste. Rregullat dhe postulatet e qytetërimit modern adoleshenti i mëson edhe në familje, por jo me dhunë, por në mënyrë organike. Pesha e tepërt e autoritetit të prindërve jep kundër-efekte negative edukative, duke kultivuar tek ata shpirtin e flashkur konformist, mungesën e iniciativës, frikën e përhershme ndaj autoritetit paternalist, që i shfaqet në jetën e pavarur nga familja. Dhuna nuk e lë adoleshentin të rritet, të bëhet qenie integrale, autonome, me personalitet. Paternalizmi i bën ata thjesht “bebe të rritura”, që duan këshilla, urdhra për çdo veprim personal në jetën e tyre. Ai bëhet i varur ndaj çdo lloj autoriteti të ngjashëm me atë të prindërve të tij. Besoj se jemi në kohë për të bërë ndryshimet e duhura në raportet dhe rolet edukative brenda familjes shqiptare. Por, që të bëhet kjo, duhet të mësohemi, së pari, që të pranojmë ca të vërteta dhe natyrisht edhe të ndryshojmë. Në radhë të parë prindërit, të cilët në shumicën e rasteve nuk kanë të drejtë të besojnë se paternalizmi ka forcë dhe ndikim edukativ mbi adoleshentët. Ata sot janë ndryshe. Ndryshe janë dhe raportet edukative. Realitetet duhen njohur dhe pranuar ashtu siç janë.
Të gjithë filozofët, pedagogët dhe sociologët e kohës moderne, janë të mendimit se në “luftën mes brezave” kanë ndryshuar vendet midis prindërve dhe adoleshentëve. Biri di më tepër se prindërit. Kjo është dialektika e kohës, që duhet pranuar që të mos kemi konflikte banale në marrëdhëniet me adoleshentët tanë. Prindërit nuk kanë pse ndihen të ofenduar kur adoleshentët reagojnë ndaj formave të vjetra të edukatës atërore. Është kohë e vështirë edukative dhe akoma më i vështirë është synimi që prindi të jetë model edukativ imitimi për fëmijët e tij. Vetëm duke ndryshuar, duke kuptuar kohën dhe natyrën moderne të adoleshentëve, mund të bëhemi prindër dhe edukatorë, mbështetës për synimet materiale, edukative, emocionale, morale dhe intelektuale të tyre. Ky është imperativi edukativ i kohës, mjeti për të shmangur paternalizmin e bezdisshëm, konfliktet e panevojshme prind-adoleshent në familjen shqiptare…

9 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›