E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkollat me probleme ende nuk dihen ku do të transferohen nxënësit



Jonida Tashi

Viti i ri shkollor nuk do të nisë aspak mbarë për pjesën më të madhe të nxënësve kryeqytetas. Në prag të fillimit të shkollës, drejtuesit e arsimit në kryeqytet nuk gjetur ende një zgjidhje se ku do të sistemohen nxënësit që kanë ngelur në “qiell të hapur” këtë vit shtator. Ndërsa i ndajnë vetëm pesë ditë nga nisja e ditës së parë të shkollës, me qindra nxënës të arsimit parauniversitar në Tiranë nuk dinë ende se ku duhet të drejtohen në datën 14 shtator. Në të njëjtën pozita duket se gjenden edhe mësuesit që kanë dhënë mësim në shkollat që nuk do të hapin dyert këtë fillim viti mësimor. Deri më tani, si nxënësit ashtu edhe mësuesit e tyre dinë vetëm që nuk do të “bashkëjetojnë” më për një afat të pacaktuar në shkollat ku ka qenë vjet. Interesimit të nxënësve pranë shkollave përkatëse, drejtuesit e këtyre institucioneve i janë përgjigjur se nuk kanë marrë ende një konfirmim zyrtar se në çfarë shkolle do të zhvillohet mësimi. Gjithsesi, sipas njoftimeve paraprake që drejtuesve të shkollave që nuk do të hapen, iu janë komunikuar gjatë këtyre ditëve, mësohet se nxënësit që kanë mësuar në shkollat që nuk do të çelen, do ta ndjekin mësimin në një shkollë tjetër, që ndodhet gjeografikisht afër ish-shkollës së tyre.
“Kushtrimi i Lirisë”
Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë” në kryeqytet, janë disa prej qindra bashkëmoshatarëve të tjerëve që i janë drejtuar këto ditë dyerve të saj për të mësuar se ku do ta zhvillojnë mësimin. Drejtuesit e kësaj shkolle, bëjnë të ditur se janë tre variante për transferimin e nxënësve. Së pari, po shihet mundësia e zhvillimit të mësimit pranë gjimnazit “Ismail Qemali”, duke qenë se ka një godinë me kapacitet të madh dhe se është pothuajse në të njëjtën zonë me “Kushtrimin e Lirisë”. Si mundësi e dytë është parë ajo e transferimit të shkolla 9-vjeçare “1 Maji”, e cila gjendet sërish jo shumë larg shkollës “Kushtrimi i Lirisë”. Së treti, nxënësit mund të akomodohen pranë ndonjë shkollë tjetër 9-vjeçare që gjendet afër lagjes “Ali Demi”. Por nxënësit e shkollës “Kushtrimi i Lirisë” nuk janë të vetmit që do të përballen me problemin e sistemimit gjatë vitit të ri mësimor. Të njëjtin fat me ta duket se do të kenë edhe bashkëmoshatarët e tyre që mësojnë në shkollat “Ahmet Gashi”, “Bajram Curri”, “Kolë Jakova”, si dhe ata të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”. Duke qenë se nuk plotësonin kushtet higjienike, inspektorët e Drejtorisë së Higjienës kanë vendosur kyçjen
Sistemimi
Fillimi i vitit të ri shkollor do t’i gjejë nxënësit e Tiranës në klasa të mbipopulluara dhe mësim deri në tre turne. Nxënësit që do të transferohen në një shkollë tjetër do të jenë ata që do ta vuajnë më shumë turnin e tretë të mësimit. Mësimi për këta nxënës do të fillojë kur të ketë mbaruar orari ditor i nxënësve që i përkasin asaj. Një problem tjetër që ka sjellë mbipopullimin e klasave është rikonstruksioni i disa shkollave të sistemit parauniversitar, i cili për arsye tenderësh do të nisi në shtator, megjithëse tashmë duhet të kishte përfunduar. Burime nga Drejtoria Arsimore e Tiranës shpjegojnë se janë tri shkolla të tilla, ndërkohë që ka dhe shume të tjera që kërkojnë rikonstruksion, pasi një pjesë e shkollave kanë nevojë për ndërhyrje në tavanet dhe çatitë e tyre. Një nga këto është edhe shkolla e mesme “Sami Frashëri”, e cila kërkon rikonstruksion që të mos përsëritet incidenti i një viti më parë, ku rënia e suvasë së tavanit, disa centimetra e trashe, ra mbi karrige dhe tavolina duke i dëmtuar ato, por fatmirësisht kur nuk kishte nxënës në klasë.

Arsimi parauniversitar, të premten mbyllen regjistrimet

Ditën premte skadon afati zyrtar i regjistrimeve në arsimin e mesëm dhe të detyruar. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit për zhvillimin e vitit të ri mësimor, regjistrimet e nxënësve në shkollat e arsimit parauniversitar fillonin më datën 1 shtator dhe mbyllen në datën 11 shtator 2009. Drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore (DAR/ZA), në bashkëpunim me pushtetin vendor, duhet të sigurojnë regjistrimin e nxënësve në përshtatje me vendbanimin e tyre, duke bashkëpunuar me zyrat e gjendjes civile për nxënësit që fillojnë klasën e parë në këtë vit shkollor. Ndërsa regjistrimi i nxënësve që kanë ardhur nga zona të tjera, duhet të bëhet me fletëshpërngulje dhe fletëpranimi. Dy ditë para fillimit të vitit të ri shkollor të gjitha shkollat e sistemit parauniversitar duhet të afishojnë listën emërore të nxënësve, sipas klasave si dhe orarin provizor të shkollës. Po ashtu, DAR/ZA-të duhet të marrin masa që në ditën e parë të shkollës nxënësit të jenë të pajisur me tekstet shkollore sipas orarit mësimor provizor. Ndërsa drejtoritë e shkollave, do të kontrollojnë pajisjen e nxënësve me tekstet shkollore sipas Katalogut të teksteve 2009–2010 brenda javës së parë të shkollës.

9 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›