Gjeologët: Për ndërtesat e reja nuk respektohet studimi gjeologjik
Jonida Tashi
Pas tërmetit që goditi dy ditë më parë vendin tonë, gjeologët ngrenë shqetësimin se ndërtesat nuk duhet të ngrihen pa ditur përbërjen gjeologjike të tokës. Sipas tyre, para se të ndërtohet një objekt, fillimisht duhet të ketë një studim për terrenin në të cilin do të ngrihet ndërtesa. Ky studim, për përbërjen gjeologjike të tokës, sipas ekspertëve të tokës, duhet t’i paraqitet Këshillave të Rregullimit të Territorit, për të marrë dhe lejen e ndërtimit. Specialistët që merren me studimin e terreneve ku ngrihen ndërtesat thonë se ligji ekziston për të kërkuar studime të tilla para marrjes së lejes së ndërtimit, por në praktike, nuk dihet se sa zbatohet. Por, fenomeni i ndërtesave dhe ngjarja e ndodhur vetëm para dy ditësh, tek shumë qytetarë ngre pikëpyetjet se sa të sigurta janë banesat ku ata jetojnë. Duke marrë shkas edhe nga shembja e shtëpive në zonën e Dibrës, inxhinier-gjeologët shpjegojnë se cilat janë parametrat që një ndërtesë të quhet e sigurt dhe sa zbatohet realisht ajo në praktikën e punës.
Studimi
“Me ligj, por dhe me kushtet teknike që zbaton fusha e ndërtimit në vendin tonë, çdo objekt inxhinierik duhet të shoqërohet me studime gjeologe-inxhinierik. De fakto dhe teorikisht të gjitha objektet shoqërohen me këtë studim. Se sa merret në konsideratë nga projektuesi ky studim, ky është një problem tjetër. Me ligj çdo objekt duhet të ketë një studim gjeologo-inxhinierik. Në studimet gjeologo-inxhinierik jepen dhe rekomandime dhe në objekte të larta duhet të bëhet edhe studimi sizmologjik që përcakton nxitimin, karakteristikat për një tërmet, frekuencën, etj”,- shprehet dekani i Fakultetit të Gjeologji-Minierave, Përparim Hoxha. Sipas këtij të fundit, terreni i Tiranës, ku janë ngritur ndërtesat është i përshtatshëm, pasi kryeqyteti hyn në hartën e zonave me një aktivitet të ulët sizmik. Për kryeqytetin, Bashkia e Tiranës është institucioni kryesor që duhet të jap të dhëna për cilësinë e ndërtimeve dhe studimeve që janë bërë për ndërtimet në kryeqytet, për t’i paraprirë situatave si ajo e shembjes së ndërtesave nga tërmetet.
Gjeologët
Gjeologët ose siç i cilësojnë ndryshe si “mjekët” e tokës, përcaktojnë çfarë formacionesh gjenden në atë tokë, çfarë përmbajtjeje ka, si mund të largohen ujërat nëntokësore. Në qoftë se e shohin të rrezikshme, gjeologët lajmërojnë se toka është e rrezikshme dhe duhen marrë masa mënjanuese të rrezikut. Pasi bëjnë një raport të detajuar, gjeologët i kthejnë përgjigje personit të interesuar, nëse mund të ndërtohet në atë zonë apo jo. Duke qenë se gjeologët janë të vetmit “mjekë” të tokës, që gjejnë “sëmundjet” e saj, ata marrim përsipër t’i shpjegojnë edhe arsyet që përse në një tokë të caktuar nuk është e këshillueshme që të ndërtohet. Deri tani në vendin tonë, i vetmi qytet që ka studim gjeologjik është Elbasani. Në këtë mënyrë qytetarët e këtij qyteti janë të informuar deri diku mbi zonat me rrezikshmëri të lartë shembjeje. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar drejtohet nga një këshill drejtues i përbërë nga 7 anëtarë, të cilët emërohen nga ministri për një afat 4-vjeçar me të drejtë përsëritjeje një herë. Ata nuk mund të jenë persona të punësuar në Shërbimin Gjeologjik Shqiptar, me përjashtim të drejtorit të përgjithshëm, si dhe nuk mund të jenë persona që kanë lidhje të drejtpërdrejtë ose interesa me këtë shërbim.
Gjeologët: Pse rrezikohet rrëshqitja e tokës në vend
Në vendin tonë ka rrezik rrëshqitjeje të tokës, që vjen si rezultat i shpyllëzimeve, i ngritjeve të tarracave dhe shfrytëzimit të tyre. Sipas gjeologëve, këto arsye kanë bërë që një pjesë e mirë e territorit të Shqipërisë të jetë nën rrezikun e rrëshqitjeve. Nga studimet e bëra para viteve ‘90 janë përcaktuar zonat që kanë qenë të rrezikshme për ndërtime. Të paktën nga të dhënat rezulton se pjesa e “Varrezave të Dëshmorëve” është e përbërë nga argjila mormolinite, të cilat kanë një aftësi të tillë, që kur ngopen me ujë, fillojnë e rrëshqasin. Prandaj, në këto lloj argjilash është e palejueshme që të ndërtohet, këtu lejohet që të ndërtohet vetëm kur të hapet themeli dhe të kapësh shkëmbin rrënjësor, i cili nuk lëviz, vetëm atëherë mund të ndërtohet. Ndërkohë që në të gjithë Shqipërinë ka zona të tilla që përbëjnë rrezik. Për këtë arsye, sipas gjeologëve, të gjitha digat e hidrocentralet që janë ndërtuar në Shqipëri, janë ndërtuar pasi kanë kaluar studimin gjeolog-inxhienirik. Po ashtu, te të gjitha trasetë e rrugëve dhe hekurudhave, ndërtimet e qyteteve janë bërë studimet dhe më pas janë ndërtuar. Prandaj në të gjitha vendet e botës gjeologjia shihet si profesion që ka të bëjë direkt me sigurinë e jetës së njerëzve.
Objekt i veprimtarisë
Studimet gjeologjike sistematite bazë të vendit nëpërmjet kartografimit kompleks të shkallëve të ndryshme;
Studime gjeofizike e gjeokimike të çdo shkalle;
Kërkimi dhe vlerësimi i mineraleve metalore dhe jometalore, burimeve ujore nëntokësore, ujërave të pijshëm e industrialë, ujërave mineralë e termale;
Studimet hidrogjeologjike për rivlerësimin e baseneve ujore dhe për caktimin e masave për ruajtjen e rezervave ujore;
Studimet gjeologjike për mjedisin;
Studimet gjeologo-inxhinierike;
Studimet agrogjeologjike, studimet për erozionin;
Rilevimet topografike të shkallëve të ndryshme dhe matjet gjeodezike;
Krijimi i bazës së të dhënave gjeologjike e të mineraleve të dobishme, vënia në dispozicion e këtyre të dhënave organeve të pushtetit qendror e lokal dhe subjekteve të tjera të interesuara, përgatitja, publikimi dhe komercializimi i informacionit gjeologjik.
Detyrat
Shërbimi Gjeologjik i Shqipërisë ka të drejtë dhe detyrë të grumbullojë në Arkivin Qendror të Gjeologjisë të gjithë informacionin e dokumentacionin e përfituar deri tani dhe atë që do të përfitohet në të ardhmen në fushën e gjeologjisë bazë, të gjeofizikës, gjeokimisë, hidrogjeologjisë, gjeologjisë inxhinierike, topogjeodezisë, kampionaturën, mostrat e dublikatet e tyre, të sistemojë, të ruajë, të përpunojë e të informatizojë dhe t’i përdorë (për vete e të tretët) sipas rregullave që përcaktohen në aktet nënligjore. Në Arkivin Qendror të Gjeologjisë arkivohet informacioni gjeologjik, të cilin zotëruesi i lejes minerare e dorëzon në Drejtorinë e Përgjithshme të Minierave, duke respektuar kërkesat e nenit 110 të ligjit minerar. Në këtë arkiv arkivohet edhe dokumentacioni gjeologjik krahinor që del nga studimet për naftën dhe gazin.
9 Shtator 2009