Gripi i derrit, Shqipëria do ta blejë vaksinën në Gjermani
Vetëm pak ditë para ikjes nga posti i ministres së Shëndetësisë, Anila Godo ka dashur të largohet me një lajm të mirë prej saj. Godo i ka siguruar qytetarët se tashmë ata duhet të flenë të qetë për vaksinën e gripit të derrit, pasi Shqipëria nuk do ta ketë problem sigurimin e saj. Në një seminar të zhvilluar dje në qytetin e Durrësit nga përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Ministria e shëndetësisë, për përhapjen e virusit A/H1N1, Anila Godo, ka deklaruar se Shqipëria mund të sigurojë vaksinën edhe për të gjithë popullatën, nëse do të nevojitet. “Tashmë kam lajme të mira, pasi Gjermania mund të angazhohet për të na futur në listën e saj, duke na siguruar një sasi prej 600 mijë vaksinash. Kam premtim edhe nga drejtoresha e Sëmundjeve Ngjitëse në Evropë për të na siguruar 300 mijë vaksina. Jam e qetë, sepse sasi vaksinash do të ketë me bollëk”,- u shpreh Godo. Në planin e Ministrisë së Shëndetësisë për pandeminë e virusit A/H1N1, fillimisht do të vaksinohen grupet e riskut si: punonjësit e shëndetësisë, të sëmurët kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët. Sipas përllogaritjeve të përafërta, për fazën e parë të vaksinimit mund të nevojiten rreth 300 mijë vaksina.
9 Shtator 2009