E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfitoi 10 vjet pension me dokumente false, hetim 56-vjeçarit

Hetimet për këtë çështje mjaft të bujshme nisën në mars të vitit të kaluar. Dhjetëra persona dyshohet se kanë përfituar përmes dokumenteve false

Tiranë – Një 56-vjeçar ka mundur të sigurojë pension të parakohshëm prej 10 vjetësh falë dokumenteve false, gjë për të cilën tashmë ndodhen nën hetim. Oficerët e korrupsionit i dërguan materialet në Prokurori, në gjendje të lirë, për veprën penale të vjedhjes me anë “mashtrimit’ në ngarkim të Xhavit K., lindur dhe banues në Dibër. Burime nga policia thanë se ndaj tij ka bërë kallëzim DRSSH, e cila ka deklaruar se 56-vjeçari ka falsifikuar dokumente zyrtare, duke përfituar pension, në mënyrë të paligjshme, prej 10 vitesh. Materialet u dërguan në Prokurori dhe për punonjësit e Sigurimeve Shoqërore, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Hetimet
Hetimet për këtë çështje mjaft të bujshme nisën në mars të vitit të kaluar, pas kërkesës së policisë për procedimin e dhjetëra personave që dyshohet se përmes dokumenteve false, kanë përfituar pension të parakohshëm qysh në vitin 2000. Nën hetim gjithashtu janë edhe ish-punonjës të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Rreth 6 kategori mendohet se kanë abuzuar me pensionet. Inspektimet prej disa kohësh nëpër dosjet e përfituesve kanë dhënë dhe rezultatet e para, që i përkasin kryeqytetit. Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore të Tiranës, bëri publike gati një vit më parë dosjet me të cilat mendohet se kanë abuzuar qytetarë të ndryshëm, duke kryer një sërë shkeljesh.
Vitet e punës
Për gati dy vjet, një nga prioritetet e ISSH-së ka qenë pastrimi i skemës nga përfitimet e padrejta. Gjatë verifikimeve janë konstatuar shkelje në dosjet e pensioneve në korrigjime të periudhave në regjistrat themeltarë (data, muaji, viti). Shumë qytetarë, për të përfituar pension, kanë dubluar periudhat e punës. Një kategori tjetër që mendohet se kanë abuzuar me përfitimin e pensioneve janë edhe ata persona që u është konstatuar mospërputhje të vërtetimit të ditëve të punës në kooperativat bujqësore të dorëzuara në dosje me regjistrat ekzistues, të dorëzuar më pas në arshivën e DRSSH-së Tiranë dhe së fundi është vënë re një mosekzistencë e emrit të përfituesit në indekset e ndërmarrjeve apo minierave.

Për gjykim ish-drejtori i minierës së Mushqetasë

Ish-drejtori i minierës së Mushqetasë në fshatin me të njëjtin emër parën Tiranës do të përballet në gjyq me akuzat e prokurorisë për abuzime me detyrën. Prokuroria ka përfunduar hetimet ndaj ish-drejtorit të Minierës së Qymyrgurit në fshatin Mushqeta të Tiranës, Ylli Shaba. Ylli Shaba dyshohet se, ka abuzuar lidhur me pensionet e dhëna për persona që nuk kishin punuar në minierë, në periudhën kohore (2002- 2005) kur, ai mbante funksionin e drejtorit të minierës së Mushqetasë. Policia e kryeqytetit, në bashkëpunim me Task-Forcën dhe Sektorin e Antikrimit Ekonomik arrestuan më 3 mars 2009 ish-drejtorin e Minierës së Mushqetasë në Tiranë, Ylli Shaba. 49-vjeçari ka rënë në prangat e policisë me akuzën e shpërdorimit të detyrës, mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve. Prokuroria e Tiranës ka filluar procedimin penal kundër Shabës, ndërkohë që gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg. Mësohet se gjatë periudhës në krye të minierës së Mushqetasë, Ylli Shaba ka lëshuar vërtetime për pensione false. Për Ylli Shabën ka filluar procedimin penal, pasi dyshohet për konsumim të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “mashtrimit” dhe të “falsifikimit të dokumenteve”.

9 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›