Kujt i duhen praktikat e demaskuara nga George Orwelli ?!
Ervin Maho
Si pedagog i Hyrjes në Ekonomiks, por edhe thjesht si qytetar e taksapagues i këtij vendi, nuk mund të mos ndjek pa kureshtje ecurinë e zhvillimeve ekonomike në vendim tim; ndërhyrjen e qeverisë në detyrë apo qeverisë që po ngjizet e do fillojë veprimtarinë e saj ne shtator, ndaj kësaj situate ekonomike, por edhe qëndrimet e medias ndaj këtyre zhvillimeve ekonomike.
Kjo, për një fakt të thjeshtë: Është e pranuar, të paktën teorikisht, se masat e politikës ekonomike, të ndërmarra me vonesë ose jo adekuate, mund të kenë pasoja të rënda për ekonominë e një vendi; ato mund ta rëndojnë ose mund ta lehtësojnë dhe përmirësojnë jetën tonë; Ato mund të ndërpresin ritmet potenciale të rritjes ekonomik, të shkaktojnë përkeqësim të bilancit tregtar e të pagesave, të deficitit buxhetor, borxhin publik, të thellojnë papunësinë, etj,; Ashtu siç, mund të kontribuojnë që këta tregues të ecin me pozitivisht, në dobi të shoqërisë. Për rrjedhojë, çdo qytetar është i interesuar, të paktën objektivisht, të dije se si po vepron qeveria e vet për të përballuar krizën globale ekonomike.
Në këtë rrafsh, në mjaft tekste serioze të Ekonomiks-it bëhet me dije se çdo student ia vlen të mësojë se ka dhe qeveri që jo gjithmonë bëjnë gjënë e duhur. Midis tyre mund të përmendet, për shembull, ajo e administratës së Huverit gjatë krizës së madhe ekonomike në SHBA, në vitet 29-33 të shekullit të kaluar. Ndërkohë, secili prej nesh është i interesuar që kjo praktike e Huverit të mos ndodhe tek ne. Po kështu, që secili nga ne është i interesuar që të mos ndodhe ajo që po ndodh tek fqinji ynë Greqia, ku ndërhyrjet e domosdoshme për mbarëvajtjen e ekonomisë kërkuan zgjedhje të parakohshme: Më mirë masa në kohën e duhur dhe reagim i shpejtë ndaj dukurive negative në zhvillimet ekonomike se sa përkeqësim të kësaj situate dhe gjendjes sociale, tronditje politike që mund të zgjidhen vetëm me zgjedhje të parakohshme, apo, larg qoftë, me ato që shoqëruan përkeqësimin e situatës makroekonomike të 1996.
Dhe për njohjen e ecurisë së zhvillimeve ekonomike, në epokën e informacionit, roli i medias së shkruar apo vizive është i pazëvendësueshëm.
Përtej statistikave
Në këtë kuadër, për të parë si ekonomist se si po ecin zhvillimet tregtare në vendin tonë, i drejtohem faqes së internetit të INSTAT-it, mbi tregtinë e jashtme (që si rregull nuk e bën e nuk mund ta bëjë çdo qytetar). Aty jepet informacioni më thelbësor sintetik mbi zhvillimet e tregtisë gjatë muajit korrik dhe 7-mujorit të parë të vitit 2009.
Çfarë mëson dhe çfarë mësova unë nga ky informacion? Sipas INSTAT-it, “Në muajin Korrik të vitit 2009 u eksportuan 9, 668 milionë lekë mallra, me rritje 2.7 përqind në krahasim me muajin Qershor 2009 dhe ulje me 12.5 përqind në krahasim me muajin Korrik 2008. U importuan 36,771 milionë lekë mallra, me rritje 4.4 përqind në krahasim me muajin Qershor 2009 dhe ulje 2.1 përqind, në krahasim me muajin Korrik 2008. Deficiti tregtar i këtij muaji është 27,103 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 5 përqind, krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 2.2 përqind krahasuar me muajin respektiv të vitit 2008…” Ndërkohë, jepen dhe disa pasqyra si ajo “Tregtia e jashtme sipas grup-mallrave”, “Qarkullimi i mallrave në tregtinë e jashtme”, etj., që janë mjaft elokuente.
Po çfarë mëson tjetër nga publikimi i këtyre pasqyrave nga INSTAT-i? Nga ato mëson se eksporti i mallrave në muajin korrik 2009 ishte 9 668 milionë lekë, nga 11 043 milionë lekë që ishte në Korrikun e vitit 2008, dhe 9 316 në vitin 2007. Ndërsa, përsa i përket importit, në korrik 2009, ai ishte 36 771 milionë lekë, nga 37 570 milionë lekë që ishte në korrik 2008, dhe 30 768 milionë lekë që ishte ai në vitin 2007.
Ndërkohë, aty jepet një informacion i plote përsa i përket ecurisë së eksportit, importit dhe deficitit tregtar, i detajuar për çdo muaj, për të tri vitet e fundit dhe një informacion përmbledhës për të gjithë vitet e dekadës së fundit. Nga sa më sipër, kushdo mund të shohë se si ka qenë ecuria e tregtisë së jashtme, jo thjesht për muajin korrik, por gjatë gjithë periudhës së tremujorit të parë janar-korrik. Në mënyrë të përmbledhur, ai paraqitet nëpërmjet tabelës së mëposhtme. (Shih tabelën)
Kushdo mund të shohë se niveli i eksportit si 7-mujor paraqitet, jo vetëm më pak se sa e njëjta periudhe e vitit të kaluar, por, ai paraqitet në një nivel më të ulët se e njëjta periudhe e vitit 2007, ose sa 98.2 përqind e saj. Ndërsa, importi gjatë gjatë periudhës 7 mujore ishte në një nivel prej 14.7 përqind më tepër se sa ai i vitit te kaluar, në krahasim me 2007, ka një rritje prej 14.7 përqind. Në këtë situatë, në kushtet e rënies së eksporteve, deficitit tregtar është thelluar akoma më tepër. Në vitin 2009, ai është 21.1 përqind më i madh se sa në të njëjtën periudhe të vitit 2007. Ndërsa në vitin 2007 eksporti përbënte 28.1 përqind të vëllimit të importeve, gjatë 7-mujorit të parë të këtij viti mbulohet 24 përqind e tij. Pa u ndalur gjatë në analizën e këtyre treguesve kryesore të tregtisë së jashtme, nuk është e vështirë të shihet, se ecuria e eksporteve në vendin tonë lë për të dëshiruar dhe përbën një nga sfidat kryesore të mbarë shoqërisë sonë, por, sidomos për qeverinë që po ngjizet. Në këtë situatë jo të këndshme, çdo qytetar shqiptar, taksapagues, ekonomist, student apo pedagog i Ekonomiksit pret të dijë se çfarë politikash dhe masash do ndërmarrë Qeveria e re lidhur me rritjen e eksportit?! Konkurrueshmëria në tregjet ndërkombëtare është rritur, dhe çdo qeveri ka marrë masat e nevojshme për rritjen e eksporteve që e gjykon më të mirën për vendin e vet.
Edhe të zbukurosh, edhe të gënjesh
Por, me sa duket, Televizioni shqiptar mendoka ndryshe. Mesazhi i lajmeve të saj qenka se “shqiptarët, dhe për rrjedhojë, Qeveria e re s’ka përse të interesohen apo shqetësohen për këtë çështje. Sipas lajmeve të TVSH-së, më datë 6 shtator 2009 theksohet se :”… krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë Shqipëria rezulton të ketë qenë këtë vit një vend ekportues më shumë se sa importues, një tregues ky i intesitetit të aktivitetit ekonomik, pavarësisht situatës jo të favorshme në vendet e tjera për shkak të krizës ekonomike.” Në trajtë më të plotë, informacioni i INSTAT-it mbi ecurinë e tregtisë së jashtme, në lajmet e Televizioni Publik Shqiptar, të po kësaj date, paraqitet si më poshtë: “Nga të dhënat e fundit të INSTAT-it rezulton se ritmet pozitive të aktivitetit ekonomik kanë bërë që vendi ynë të jetë më shumë eksportues i produkteve të prodhuara në vend. Situata e favorshme ekonomike në vend është reflektuar gjatë muajit korrik të këtij viti, me një rritje të ndjeshme të volumit të shkëmbimeve tregtare, krahasuar më muajin paraardhës. Të dhënat e fundit nga Instituti i Statistikave flasin për një rritje prej 2.7 përqind të eksportit të mallrave nga Shqipëria, kryesisht drejt vendeve të BE-së, e përllogaritur në rreth nëntë miliardë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e tetë milion lekë. Importet, gjithashtu, rezultojnë të kenë pësuar një rritje prej 4.4 përqind, krahasuar me muajin paraardhës. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë Shqipëria rezulton të ketë qenë këtë vit një vend ekportues më shumë se sa importues, një tregues ky i intesitetit të aktivitetit ekonomik, pavarësisht situatës jo të favorshme në vendet e tjera, për shkak të krizës ekonomike. …”
Pra, krejt ndryshe nga të dhënat e INSTAT-it, sipas Televizionit Publik, “Shqipëria rezulton të ketë qenë këtë vit një vend eksportues më shumë se importues”. I dëgjon këto radhë dhe nuk mund të mos zësh kokën me dorë? Si ka mundësi të ndodhë kjo në kohën e informacionit?!
Nuk e di se çfarë do të thoshte George Orwelli për këtë arritje të re të manipulimit të lajmit, por këtë radhë, jo në kushtet e diktaturës së proletariatit, por, atë të Demokracisë?!
Kushdo mund të shohë se lajmësi i TVSH nuk mjaftohet vetëm me mosnjoftimin e asaj që thuhet në njoftim e INSTAT-it, të cilat, më poshtë i gjeni të detajuara: “Në muajin korrik të vitit 2009 u eksportuan 9,668 milionë lekë mallra, me rritje 2.7 përqind në krahasim me muajin qershor 2009, dhe ulje me 12.5 përqind në krahasim me muajin korrik 2008. U importuan 36,771 milionë lekë mallra me rritje 4.4 përqind në krahasim me muajin qershor 2009 dhe ulje 2.1 përqind në krahasim me muajin korrik 2008”
Eleminimi i pasazheve të bolduara mund të i ishte i justifikuar, në kuadër të sentencës: “Zbukuroj, po nuk gënjej”. Por, a mund të justifikohet pretendimi se “Shqipëria rezulton të ketë qenë këtë vit një vend eksportues më shumë se sa importues” kur INSTAT-i dhe të dhënat dëshmojnë të kundërtën ?!
Dhënia e informacionit vetëm me muajin paraardhës, siç ka vepruar Televizioni Publik Shqiptar është sikur të thuash “pa gënjyer” se prodhimi i grurit, ta zëmë, në Qershor u rrit infinit në krahasim me muajin paraardhëse (në muajin paraardhës nuk është korrur grurë).
Manipulatorët e zhvillimit
Natyrshëm të lind pyetja, mos është ndonjë garë me atë që bëhej në zyrën e Uinstonit ?! “Puna e Uinstonit ishte të korrigjonte figurat e kohëve të fundit dhe t’i barazonte me ato të parashikuarat… Shkurtin e kaluar, Ministria e Bollëkut kishte premtuar (”ishte zotuar” thuhej në gjuhen zyrtare )se, gjatë 1984-ës, nuk do të kishte pakësim të çokollatës” - shkruan George Orwelli në librin e vet 1984. Pavarësisht nga meritat që ka George Orwelli, në stigmatizimin e kësaj dukurie pa dyshim, garën e fiton Televizioni Publik Shqiptar, se ky i fundit këmbëngul të vazhdojë me këto praktika të dala mode, por, këtë radhë, jo në kushtet e diktaturës së proletariatit, por atë të demokracisë. Natyrisht, emisionet mbi bollëkun e tufëzave dhe arëzave ku TVSH-ja hapej me një stallë derrash në Pukë, është ende prezent në kujtesë, pavarësisht se ka ndodhur 23-24 vjet më parë. Dhe, natyrisht nuk ishte stigmatizim i Fermës së Derrave të George Orwellit, siç mund të mendojë ndonjë djalurinë. Në këto rrethana, nuk mund të mos pyes Drejtorin e Radio Televizionit Shqiptar: a meriton taksapaguesi shqiptar këtë manipulim të informacionit?! A e meriton ky popull këtë konkurrim të padenjë të TVSH-së me praktikat e dala jashtë mode dhe të stigmatizuara aq saktë nga George Orwell?
Jo zotëri! Nuk e meriton. Në kushtet kur vendi ynë dhe qeveria është para sfidës për të përpunuar masa reale për rritjen e eksportit, nëse TVSH nuk i ndihmon dot nëpërmjet kryerjes së detyrës për të dhënë një informacion të saktë dhe përpunimin e një opinioni progresiv, të paktën, të mos kontribuojë për mospërballimin e kësaj sfide. Një pjesë e mirë e shqiptarëve, ndryshe nga lajmi i mësipërm i TVSH-së, dëshirojnë, synojnë dhe kërkojnë të eksportohen mallra dhe shërbime dhe jo emigrante legalë apo ilegalë qofshin ata, pavarësisht se fluksi i valutës nga emigrantët ka rënë.
Ecuria e Tregtisë së Jashtëm për periudhën 7-mujore, gjatë tre viteve të fundit 2007-2009:
Në min lek
Vitet Eksporti Importi Bilanci tregtar % e eksportit ndaj importit
2007 58277 207651 -149374 28,1
2008 68449 242745 -174776 28,2
2009 57.200 238.156 -180.935 24,0
2009/2007 në % 98,200 114,700 121,100
9 Shtator 2009