Myslimani padi babait: S’më la të falesha në xhami
Një 33-vjeçar padit në Prokurori babanë e tij, duke e akuzuar për persekutim e tortura për shkak të fesë. Daut Laze pretendon se babai nuk e ka lejuar të falet, duke e mbyllur në spitalin psikiatrik. Padia e rrallë është depozituar në Prokurorinë e Tiranës, nga avokati Idajet Beqiri në emër të klientit të tij Daut Laze, 33 vjeç, i cili pohon se prej pak ditësh është rikthyer dhunshëm në psikiatri. Laze, baba i dy fëmijëve 5 dhe 4 vjeç, paprecedentë penalë, ka shpjeguar në kallëzim se për rreth 5 vjet ka qenë emigrant në Itali e Belgjikë. Në 2002, pas njohjes me botën e qytetëruar, ka studiuar Kur'anin, dhe ka ushtruar e respektuar të gjitha ritet fetare të myslimanizmit, duke filluar nga falja 5 herë në ditë, mbajtja e Ramazanit, mospërdorimi i alkoolit dhe substancave të tjera të konsideruara "haram" etj. Por sapo ka ardhur në Shqipëri, të parin ka befasuar të atin e tij, Hysen Laze, i cili me sa shpjegon Dauti, është ateist që nuk beson në fe. Babai nuk e ka konceptuar dot ndryshimin e të birit dhe ka bërë të gjitha përpjekjet për ta larguar Dautin nga rruga e besimit në islam. Më tej, kallëzuesi shpjegon se i ati në shumë raste, nga moskuptimi dhe nga mosrespektimi i vullnetit të lirë të njerëzve për të besuar në fe, me mjete të dhunshme i ka prishur shumë herë faljen, e madje për "të fyer" ndjenjat e besimit fetar të së birit, në kundërshtim me rregullat morale e njerëzore, babai u jepte fëmijëve të Dautit, përkatësisht 5 e 4 vjeç, pije alkoolike! Këto skena sipas kallëzuesit kanë qenë të përsëritura dhe kanë shkaktuar reagime prej të dyja palëve dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes, të cilat kanë degjeneruar shpeshherë edhe në grindje të vazhdueshme. Por nisur nga këto, i biri pohon se babai i tij, me ndihmën e një mjeku të spitalit psikiatrik, i quajtur Lefter, ka siguruar një raport mjekësor sikur djali i tij Daut Laze ishte i sëmurë psikik. Për më tepër kallëzuesi pretendon se për këtë raport i është paguar ryshfet mjekut. Ndërsa, nga ana tjetër ai pretendon se nuk ka qenë tek mjeku për vizitë dhe nuk e di mënyrën se si është plotësuar raporti mjekësor. Plotësimi i raportit në vitin 2007, përmes Komisariatit të Kombinatit, Tiranë do të sillte marrjen me dhunë të kallëzuesit dhe mbylljen e tij në psikiatri. Ai është nxjerrë pas tre muajsh nga psikiatria, pasi pretendon se është kuruar me ilaçe të kota, por duke qenë se nuk hoqi dorë nga besimi islam, ai është marrë sërish nga i njëjti komisariat dhe është mbyllur në psikiatri. Në kallëzim ai pohon se revoltës dhe kundërshtimeve të tij ndaj këtij akti barbar, babai, mjeku dhe policët që e torturonin, duke e mbyllur me dhunë në spital, i përgjigjeshin: "Ty s'të beson më njeri që nuk je i sëmurë psikik, ndaj hiq dorë nga islami!" Duke u mjekuar në mënyrë të pakujdesshme në psikiatri, nga dozat e kota me ilaçe që i jepeshin, në një kohë që ai ishte në gjendje të mirë shëndetësore e psikike, Laze, pohon se i iku shikimi dhe iu paralizua njëri krah. Për ta shpëtuar nga një injeksion tjetër barbar, që do t'i bëhej me 20 copë shiringa, shokët e kanë nxjerrë Lazen nga spitali dhe e kanë nisur urgjent jashtë shtetit, në Siri ku ka qëndruar dy muaj në spital, është kuruar dhe i është kthyer shikimi e rehabilituar krahu. fa.ma.