E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, bie dëshmia e shqiptarit

 

Dëshmia e shqiptarit Hekuran Kokomani, i vlerësuar si superdëshmitar në një nga çështjet më të përfolura të kriminalistikës në Itali, vrasjes së studentes angleze Meredith Kercher, ka rënë poshtë pas shfaqjes së pamjeve filmike të një kamere parkingu. Pamjet që u transmetuan ekskluzivisht nga kanali italian "Italia 1", në emisionin "Studio Aperto", tregojnë Meredith Kercher dhe Rudy Guede përpara shtëpisë ku u krye krimi. Në çastet e fundit të jetës së saj, Meredith ishte në shoqërinë e djalit senegalez dhe të dy bashkë kanë hyrë në shtëpi rreth orës 20.53 të datës 1 nëntor 2007. Videoja përgënjeshtron dëshminë e superdëshmitarit shqiptar, pasi sipas tregimit të tij, pas vrasjes ai ka parë Rudy, Raffaele-n dhe Amanda-n së bashku në një natë me shi. Por imazhet e videos tregojnë se natën e 1 nëntorit kur u krye krimi në Peruxhia nuk binte shi. Në këtë mënyrë bie edhe alibia e Rudy Guede-s, i cili ka pranuar se ka qenë poshtë shtëpisë së vajzës, pasi ka pasur një takim me studenten angleze. Sipas pamjeve, ato kanë qenë momentet e fundit të jetës së Meredith-it, pasi pak çaste më vonë ka ndodhur tragjedia. Telekamera që mbante numrin 7, e instaluar në fillim të parkimit kap edhe hyrjen e shtëpisë që u kthye në një skenë krimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›