Adoleshenti i paralizuar, apel për ndihmë në festën e ditëlindjes
VLORE - Në ditëlindjen e 15-të, pas 9 vitesh që kur përfundoi në karrige me rrota Amarildo Rushani bën thirrje për ndihmë. Për t'u kuruar nga mjekë specialistë dhe për një shtëpi, ku bashkë me të ëmën, motrën dhe vëllain e prekur gjithashtu nga distrofia muskulare, të mund të strehohen. Dje ai ka festuar në banesën e xhaxhait, në fshatin Mifol të Vlorës, ku janë mbledhur bashkëmoshatarët dhe përfaqësues të fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë, "Domeniko Skalione", presidentja e së cilës është zonja Liri Berisha. Fondacioni i ka dhuruar karrocën që i mundëson lëvizjet nga shtëpia në shkollë, të cilën nuk e ka lënë për asnjë çast, pavarësisht sëmundjes. Gjatë këtyre viteve, shumë ndihma janë mbledhur për Amarildon, por përballë kushteve të vështira ekonomike të familjes, ato duken shumë pak. Amarildo është paralizuar në moshën 6-vjeçare, pasi u prek papritur nga sëmundja e distrofisë muskulore. Të njëjtin fat pësoi dhe i vëllai më i vogël, të cilit i janë shtrembëruar gjymtyrët dhe pritet që të mbetet i paralizuar si i vëllai. Të dy thonë se duan ndihmën e shtetit që t'u mundësojë një kurim të specializuar jashtë vendit, me shpresë se do të ngrihen në këmbë. Prej momentit që u sëmur, Amarildo është shtruar në spitalin e Vlorës dhe të Tiranës, por nuk ka gjetur shërim. Nëna e dy djemve të sëmurë, Erveheja tregon se para se të sëmurej, Amarildo ka ndjerë dhimbje të këmbëve si dhe të kockave dhe brenda disa ditësh u paralizua. "Mjekët thanë se nuk shërohet dhe kur u bë 5 vjeç, të njëjtat shenja kishte dhe djali tjetër, Klodi. Fatmirësisht vajzën e madhe, 17 vjeçe e kam mirë. Për të shëruar djemtë kam shitur shtëpinë dhe tani jetojmë te kunati, emigrant në Greqi. Por kur të kthehet ai nuk kemi nga shkojmë". Nëna e fëmijëve tregon se komuna u ka dhënë një herë 15 mijë lekë, por kjo ishte ndihma e vetme prej saj, ndërsa ka nevojë vazhdimisht për barna.