Familjarët, konsumatorët më të mëdhenj të energjisë
Familjarët janë konsumatorët më të mëdhenj të energjisë elektrike. Nga viti në vit rritet kërkesa për energji nga konsumatorët familjarë. Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT), energjia e konsumuar nga sektori i familjes është rritur me 10.9 për qind ndaj sasisë së energjisë elektrike të konsumuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2007. Ky sektor ka konsumuar 56.8 për qind të sasisë së përdorur nga konsumatorët gjithsej. Energjia elektrike e konsumuar nga përdoruesit e tjerë është rritur me 16.7 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008. Sipas të dhënave nga INSTAT, burimet e energjisë elektrike në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008 u rritën ndejshëm me 13.2 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Prodhimi total i energjisë elektrike në vend u rrit me 22.7 për qind, krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2007. Sasia totale e prodhuar në gjashtëmujorin e parë 2008 është 1.990 GWh dhe zë 57.3 për qind të burimeve gjithsej të energjisë.
Prodhimi i hidrocentraleve u rrit me 26.3 për qind, duke dhënë ndikimin kryesor në rritjen e burimeve të energjisë elektrike. Ky prodhim këtë gjashtëmujor zuri 98 për qind të prodhimit total në vend. Rritje të ndjeshme ka dhe prodhimi i impianteve private e me koncesion me 14.1 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. TEC-et gjatë gjashtëmujorit të parë 2008 nuk kanë prodhuar energji elektrike. Importi (përfshirë këmbimet) i energjisë elektrike është rritur me 2.6 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2007. Sasia e importuar (përfshirë këmbimet) është 1.482 GWh. Ajo përbën 42.7 për qind të sasisë së burimeve gjithsej në gjashtëmujorin e parë 2008, nga 47.1 për qind që përbënte në gjashtëmujorin e parë të vitit 2007. Përdorimi nga konsumatorët është rritur me 13.3 krahasuar me gjashtëmujorin e parë në vitin 2007. Sasia e disponueshme për konsum final arriti vlerën 2.097 GWh dhe përbën 60.4 për qind të sasisë totale të energjisë elektrike për përdorim.