E Shtunë, 31 Tetor 2026

Granata ndaj Ylli Pangos, policia riheton atentatin

Policia e Tiranës rifillon hetimet për atentatin me granatë ndaj ish-dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale Ylli Pango, aktualisht Ministër i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. 

Trazhgim Sokolaj

 Ngjarja e pazbardhur, e cila ndodhi në banesën e Pangos pesë vite më parë është rikthyer në qendër të vëmendjes së policisë, pas një urdhri delegimi të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pak ditë më parë, kjo e fundit ia ka deleguar dosjen policisë së Tiranës me shënimin "për zbulim autori". Shkak për delegimin e dosjes penale në polici është bërë mungesa e elementëve identifikues dhe provave për autorët e ngjarjes, të cilët nuk njihen edhe pse kanë kaluar pesë vite nga koha kur ndodhi atentati. Sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë, ngjarja është klasifikuar me akuzën "vrasje për shkak të cilësive të veçanta e mbetur në tentativë". Ky klasifikim ligjor i ngjarjes bëri që në vitin 2006 dosja penale për atentatin ndaj Pangos të kalonte nga Prokuroria e Tiranës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, jo vetëm për shkak të akuzës së rëndë që u ngrit, por edhe për mënyrën si ishte montuar granata në garazhin e banesës së Pangos në afërsi të Qytetit Studenti në Tiranë. Prokuroria e Krimeve të Rënda, për më tepër se dy vite me radhë bëri përpjekje për zbulimin e autorit duke kaluar në skaner gjithë hetimet, që ishin bërë më parë si dhe duke verifikuar të gjithë personat e dyshuar. Për shkak të mungesës së provave në dosjen penale, pak ditë më parë, Prokuroria ka arritur në përfundimin se dosja duhet të hetohet në polici, derisa agjentët e krimeve të gjejnë prova dhe fakte për personat që kanë kryer atentatin, i cili fatmirësisht shkaktoi vetëm dëmtime të lehta për ish-dekanin Pango. Bashkë me delegimin e dosjes "për zbulim autori", Prokuroria i ka lënë detyrë policisë të kryejë disa veprime procedurale, të cilat mund të çojnë në zbulimin e autorëve dhe shkaqeve të ngjarjes. Rrethanat në të cilat ndodhi atentati, mbeten të paqarta ndërsa asnjë prej versioneve të ngritura më parë nga policia dhe Prokuroria e Tiranës, nuk janë konfirmuar me prova materiale. Personazhi i njohur i jetës akademike dhe politike Ylli Pango, ka qenë duke dalë nga shtëpia mëngjesin e 6 marsit 2003 rreth orës 07:45. Në momentin që ai është afruar tek garazhi dhe ka shtypur butonin për ngritjen e qepenit, një shpërthim i fuqishëm ka tronditur gjithë zonën. Pango në mënyrë refleksive është hedhur në drejtim të kundërt me kahun ku ndodhi shpërthimi, duke shpëtuar me dëmtime të lehta për të cilat mori më pas mjekime në Spitalin Ushtarak. Policia tha se mjeti eksploziv kishte qenë një granatë mësymëse me rreze të shkurtër veprimi, ndezësi i të cilës ishte lidhur me një fije najloni. Sapo qepeni metalik ka lëvizur, fija ka tërhequr ndezësin e granatës, e cila është aktivizuar dhe ka shpërthyer. Eksplozioni shkaktoi dëme materiale ndërsa Pango u plagos lehtë. Forca të shumta të policisë arritën në vendin e ngjarjes, menjëherë sapo morën informacion për shpërthimin. Hetuesit nuk arritën të gjenin asnjë shenjë apo provë të vlefshme për identifikimin e autorëve të ngjarjes, për shkak se shpërthimi ka shkatërruar gjithë ambientin, duke përfshirë edhe sipërfaqet ku atentatorët mund të kenë lënë gjurmët e gishtave, kur kanë prekur gjatë montimit të granatës.

Delegimi i dosjes "pa autor" në policia

Kodi i procedurës penale parashikon se, Prokuroria mund të delegojë në polici çdo dosje penale në rast se ajo nuk përmban prova të mjaftueshme për identifikimin e autorit dhe marrjen e tij në cilësinë e të pandehurit për krimin që dyshohet se ka kryer. Delegimi bëhet pas studimit të dosjes nga Prokuroria, e cila nxjerr detyra që duhet të kryhen nga policia për zbardhjen e autorit dhe shkaqeve të ngjarjes.

Hetuesit: Atentatorët njihnin banesën e Pangos
TIRANE - Një pjesë e qepenit metalik, e cila nuk përputhej deri në fund në pozicionin e mbylljes së saj, është përdorur nga autorët e ngjarjes për montimin e granatës dhe lidhjen e ndezësit të saj me mekanizmin metalik të qepenave që hapnin derën e garazhit. Sipas informacioneve të agjentëve të policisë, besohet se autorët e ngjarjes e kishin montuar granatën gjatë natës, megjithatë ata kanë qenë të përpiktë çka tregon për njohjen e ambientit ku kanë vepruar. Megjithatë sipas hetimeve të policisë, mësohet se diferenca mes shpërthimit të ndezësit të granatës dhe plasjes së eksplozivit në përmbajtje të saj, ka qenë shpëtimtare për Ylli Pangon. Sipas mekanizmit të granatës që është identifikuar nga thërrmijat e gjetura nga shpërthimi në vendngjarje, një mjet i tillë ka një ndezës i cili aktivizohet dhe shpërthen duke ndezur më pas pjesën eksplozive të granatës. Nga momenti i aktivizimit të ndezësit, i cili shkakton një zhurmë të vogël deri tek shpërthimi i pjesës eksplozive të granatës, ka një fragment 3-4 sekonda. Pikërisht në kohën kur ka dëgjuar shpërthimin e lehtë të ndezësit, Pango është hedhur në drejtim të kundërt para se të ndodhte eksplozioni i fuqishëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›