E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapshticë, kapen 6 klandestinë afganë

 

KAPSHTICE - Ishin fshehur në një maune për të kaluar në mënyrë ilegale kufirin shtetëror. Kontrollet doganore të antikontrabandës kanë bërë të mundur ndalimin e 6 afganëve dje në doganën e Kapshticës. Ndalimi i afganëve, të cilët po tentonin të futeshin në mënyrë të jashtëligjshme në Shqipëri, u bë rreth orës 22:30 të mbrëmjes së djeshme. Burime pranë kësaj pike doganore saktësuan se afganët ishin fshehur në një kamion bullgar me targa C3 955 EK. Kamioni i nisur në Bullgari po transportonte në Shqipëri një ngarkesë të porositur nga një firmë shqiptare në Përmet. Menjëherë pas zbulimit të klandestinëve, policia ndaloi drejtuesin Julian Todorof, me kombësi bullgare. Në momentin e ndalimit, Todorof ka pohuar se nuk kishte dijeni për klandestinët. Sipas burimeve, afganët do të kalonin tranzit në Shqipëri dhe më pas do të udhëtonin drejt Italisë.                               j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›