E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 22 - vjeçarit për aksidentin me vdekje të tetë muajve më parë



KRUJË – Ndalohet 22 - vjeçari, aksidentoi tetë muaj më parë me vdekje një shtetas. Burime policore thanë për gazetën se dy ditë më parë u bë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të Prokurorisë së Rrethit Durrës për A. Gj., i vitlindjes 1986, banues në fshatin Shpërdhet Mamurras, me arsim 8 klasë, me kombësi e shtetësi shqiptare, i padënuar më parë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë se më 31 dhjetor 2007, rreth orës 20:00, në aksin rrugor Thumanë - F. Krujë, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit duke dalë jashtë rruge. Për pasojë është dëmtuar rëndë dhe me pas ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak në Tiranë Mariglen Prenga nga Mamurrasi. Lidhur me këtë ngjarje Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë më datë 1 janar 2008 ka filluar procedimin penal për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e Mariglen Prengës dhe pas është bërë pushimi i çështjes pasi është hetuar se drejtues i mjetit ka qenë A. GJ. Nga të dhënat operative të policisë lidhur me këtë aksident, dyshohet se drejtues i mjetit në momentin e aksidentit ka qenë shtetasi A. GJ., dhe për këtë arsye nga ana jonë është kërkuar rifillim i hetimeve lidhur me rastin. Ndaj shtetasit A. Gj. Prokuroria e Rrethit Krujë ka nxjerre urdhër ndalimin. Materialet procedurale për veprat penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë.

Vrasja në Vlorë dyshohet fqinji hakmarrës

VLORË - Një vrasje në orët e vona të mbrëmjes së dy ditëve më parë ka vënë në alarm forcat blu të qytetit bregdetar. Viktima është 50 - vjeçari Mithat Sulce nga fshati Mesaplik. Ai është gjendur i vrarë me armë zjarri në baxhon e shtëpisë nga familjarët. Burime nga policia bënë të ditur për gazetën “Albania” se krimi mund të jetë kryer nga një komshi i tij për shkaqe pronësie, por nuk përjashtohet as pista tjetër, ajo e hakmarrjes, pasi 50 vjeçari ishte vëllai i një efektivi policie në qytetin e Vlorës. Policia është duke hetuar në të dyja pistat për të vënë në pranga autorin e vrasjes dhe të zbardhë motivin që e ka shtyrë atë për të marrë vendimin e ekzekutimit.

11 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›