Adoleshenti plagos në kalçeto "rivalin"
KAVAJE - Fitorja në një ndeshje futbolli në kalçeto, për pak sa nuk i ka kushtuar jetën një 17-vjeçari, i cili ka mbetur i plagosur nga një bashkëmoshatar. Një 16-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi ka plagosur me thikë adoleshentin tjetër, pasi kishin luajtur në një fushë minifutbolli. Sipas një njoftimi për shtyp nga Policia e Tiranës, bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në afërsi të një nënstacioni elektrik, pasi dy grupe adoleshentësh kishin përfunduar një ndeshje futbolli në kalçeto në Kavajë. Një nga adoleshentët e palës që kishte humbur në ndeshje, 16-vjeçari me iniciale V.B., sapo ka dalë nga fusha ka goditur "kundërshtarin" e tij, i cili kishte bërë golin e fitores. Burime nga policia bënë të ditur se kjo dyshohet se ka qenë shkaku që ka detyruar 16-vjeçarin të plagosë bashkëmoshatarin e tij, të paktën duke iu referuar dëshmisë që ai ka dhënë para oficerëve të policisë. I plagosur ka mbetur 17-vjeçari me iniciale R.L., i cili është dërguar në spitalin e Durrësit dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë burime nga policia bënë të ditur se adoleshenti i arrestuar pritet të hetohet në gjendje të lirë për shkak të moshës.