E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr në punishten e kartpecetave, shkrumbohet brenda 45 minutash

 

GJIROKASTER - Një punishte për prodhimin e kartpecetave, të cilat edhe eksportoheshin, u përpi nga zjarri paraditen e djeshme. Duket se ka qenë gjithçka aksidentale deri në momentin kur grupi hetimor të sqarojë rrethanat e rënies së flakëve shkatërruese për të vetmen njësi prodhimi të kartpecetave dhe pajisjeve të tjera ambalazhuese në zonën e jugut të Shqipërisë. Zjarri ka rënë në orën 10:30 dhe brenda 45 minutave të mëpasme është shndërruar në një gërmadhë të vërtetë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Sofratikë, pranë superstradës Gjirokastër-Kakavije. Investimi i kryer nga pronari i saj Vangjel Vaso është shkatërruar brenda pak minutave, saqë krijoi gjendje vajtuese tek të 20 punëtorët, të cilëve do t'u duhet të kërkojnë punë për të siguruar të ardhurat mujore. Katër prej tyre kanë qenë të pranishëm në momentin e rënies së zjarrit dhe janë larguar të tmerruar për t'i shpëtuar vdekjes. Sipas grupit hetimor, punëtorët e pranishëm brenda në punishte janë të parët që do të merren në pyetje, pasi kanë dijeni për origjinën e rënies së flakëve. E ndërtuar rreth gjashtë vjet më parë, punishtja e prodhimit të kutive të kartonit për ambalazh dhe e kartpecetave, konsiderohej si një ndër bizneset më të suksesshme në zonën e Dropullit. Zjarrfikëset kanë mundur të shpëtojnë vetëm disa nga automjetet e fabrikës të parkuara në oborrin e saj. Flakët agresive kanë vënë nën vete dy automjete dhe bashkë me to, makineritë si dhe bazën materiale së bashku me prodhimin që ndodhej brenda godinës. Sipas përllogaritjeve të përafërta dëmi i shkaktuar vlerësohet në 50 milionë lekë. Dyshohet se një qark elektrik të ketë shkaktuar zjarrin, por policia po heton për të nxjerrë konkluzionet e sakta. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›