E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria hap thesin, merr fund kompensimi i unazës

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Pas shumë zva-rritjesh dhe negociatash, më së fundi fadromat e ndërtimores në Bashkinë e Shkodrës shembin 12 ndërtimet që mbanin peng përfundimin e unazës. Mëngjesin e djeshëm, mjetet e rënda ndërhynë në këtë zonë, duke rrënuar objektet që prej 2 vitesh nuk mundësonin realizimin e investimit të rëndësishëm për qytetin. Nga e gjithë gjatësia e këtij segmenti rrugor prej rreth 3 km, kishin përfunduar plotësisht punimet nëntokësore si dhe sistemimi i trupit të rrugës, por ato ngecën në një segment prej 500 metrash, aty ku ndodheshin 12 objektet. Banorët që jetonin aty i kishin rezistuar për mëse dy vjet tentativave të bashkisë për prishjen e tyre, pasi nuk ishin dakord me vlerën e caktuar për kompensimin e tyre. Çmimi fillestar për tokën ishte vendosur nga Këshilli i Ministrave në dhjetor të vitit 2007. Në sajë edhe të ndërhyrjes së Bashkisë Shkodër, vetëm pak ditë më parë Këshilli i Ministrave ka vendosur një çmim të ri për kompensimin e tokës dhe të truallit për banorët e kësaj zone. Rezistenca e parë e këtyre banorëve ndodhi në pranverën e vitit 2008, kur ata dolën të pakënaqur me vendimin e qeverisë, (marrë në dhjetor të vitit 2007), i cili caktonte një çmim për shpronësimet prej 4500 lekësh metrin katrorë. Kjo ndodhi në një kohë kur AKPP-ja në Shkodër kishte publikuar një çmim të hartës së vlerës së tokës për kompensim prej 21.5 mijë lekësh për metër katrorë po në atë zonë, pra 5-fish më shumë. Banorët kërkuan që çmimi të ishte ai i AKPP-së, duke mos lënë në asnjë moment ndërtimorët të ndërhynin. Nisur nga pengesa e banorëve si dhe me ndërmjetësimin e Bashkisë së Shkodrës, të mërkurën Këshilli i Ministrave mori një vendim për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor-unaza Shkodër. Vlera e akorduar për të gjithë ata është 47.8 milionë lekë dhe sipas urdhrit do të kompensohen në vlerë të plotë. Gjithashtu në këtë vendim ishte e shprehur se shpronësimi do të fillonte pikërisht ditën e mërkurë, më 18 mars 2009 dhe do të përfundonte më 30 qershor 2009. Ndërtimi i unazës së Shkodrës ka nisur që nga viti 2006, por vetëm tani pritet që t'i jepet jetë këtij investimi, i cili do të çlirojë përfundimisht jo vetëm rrjetin infrastrukturor, por dhe trafikun e qytetit të Shkodrës. Për këtë qëllim Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka akorduar një fond prej rreth 245 milionë lekësh për ndërtimin në dy faza të këtij aksi me gjatësi 3.5 km dhe me gjerësi 13.5 m. Sipas drejtorit të inspektoratit ndërtimor të Bashkisë Shkodër, Roland Çomo, ky aksion për prishjen e objekteve në unazë është ndarë në dy faza, ku e dyta do të përfundojë më 24 mars. Njëkohësisht me përfundimin edhe të këtyre 500 metrave u hapet rruga edhe fazave të mëtejshme të investimit që kanë të bëjnë me sistemimin e trotuareve në të dy anët e saj dhe të sistemit të ndriçimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›