E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, rezervuarët me amoniak në ish-kombinat rrezikojnë banorët

 

BERAT - Specialistët e Institutit të Enëve nën Presion mbërrijnë në Berat për të parë nga afër gjendjen e rezervuarëve të amoniakut që janë të montuara në repartet e ish-kombinatit. Janë 6 rezervuarë të tillë që mbajnë rreth 32 tonë amoniak prej 40 vitesh. Sipas përfaqësuesit të firmës Sh. A. të Tekstilit në Berat, Përparim Çuedari, "duke parë gjendjen aktuale të amortizimit të 6 rezervuarëve dhe për të qetësuar shumë banorë që ndodhen në panik, në bashkëpunim me bashkinë e Beratit kemi kërkuar që të vijnë një grup specialistësh të Institutit të Enëve nën presion". Çuedari theksoi më tej se specialistët kanë parë nga afër gjendjen teknike të këtyre rezervuarëve, të cilët përbëjnë një rrezik serioz për jetën e banorëve të zonës. Pas inspektimit të kryer, grupi i specialistëve ka dalë në konkluzionin se gjendja teknike e rezervuarëve me dhjetëra tonë amoniak brenda tyre është e rënduar. Sipas burimeve, është shumë e vështirë ndërhyrja për riparimin e tyre. Mësohet se rezervuarët me amoniak kanë shërbyer për ftohje gjatë kryerjes së punës në kombinatit. Specialistët kanë arritur në konkluzionin se këto basene duhen çmontuar me shumë kujdes, pasi i gjithë amoniaku që ndodhet prej vitesh në rezervuar është kthyer në gaz. Specialistët e kësaj sfere po përgatisin një projekt të detajuar për të ndërhyrë për shkarkimin e amoniakut në muajin qershor të këtij viti.                    d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›