Grabitja me armë në Vaqarr, zbulohet anëtari i bandës
Etleva Delia
Tre muaj hetime për një grabitje me armë në Vaqarr të Tiranës, u finalizuan dje me arrestimin e njërit prej autorëve, i cili kishte ardhur nga Lezha për të realizuar vjedhjen e 6 milionë lekëve. Operacioni i koduar "Ura 1", ka bërë të mundur arrestimin e Shkëlzen Sherrit, i cili ishte mbajtur në survejim për një periudhë 3-mujore, deri sa është provuar implikimi i tij në grabitje. Oficerët e Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë, Armë dhe të Shkatërrimit të Pronës bënë të mundur kapjen e autorit të dyshuar të vjedhjes me armë e ndodhur në Vaqarr më 16 dhjetor të vitit 2008, në shtëpinë e Shaqir Belës. Autori i dyshuar i kësaj ngjarje dyshohet të jetë Shkëlzen Sherri, 30 vjeç, banues në Lezhë, i proceduar më parë në Itali për vjedhje. Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhrin e ndalimit, sepse akuzohet se është autor i vjedhjes me armë të rreth 6 milionë lekëve të vjetra dhe disa bizhuterive në pronësi të familjes Bela. Ndërkohë, gjatë një kontrolli në banesën e tij iu gjetën dy armë zjarri automatik si dhe tri krehra automatiku me 49 fishekë. Burime nga policia bënë të ditur gjithashtu se është provuar se Sherri, grabitjen e ka kryer në bashkëpunim me tre persona të tjerë, që për arsye të hetimit nuk mund të bëhen publikë emrat e tyre.
GRABITJA NE VAQARR
Më 16 dhjetor të vitit të kaluar është grabitur banesa e Shaqir Belës, në Vaqarr të kryeqytetit. Sipas burimeve të policisë, grabitësit kanë hyrë në banesë duke shfrytëzuar errësirën. Ata kanë marrë një shumë prej rreth gjashtë milionë lekësh të vjetra. Policia menjëherë pasi është lajmëruar ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Nga hetimet paraprake të kryera nga agjentët e policisë, u ngritën dyshime se autorët nuk mund të ishin banorë të zonës ku kishte ndodhur grabitja. Për këtë shkak, policia shoqëroi disa persona që dyshohej se kishin dijeni mbi paratë e familjes ku u krye grabitja. Grabitja është kryer rreth orës 03:30 të mëngjesit të datës 16 dhjetor 2008 në Vaqar, kur disa persona, njëri prej tyre Shkëlzen Sherri, tashmë i arrestuar, kanë hyrë në banesën e familjes së Shaqir Belës. Babai, nëna dhe bashkëshortja e tij, mësohet se kanë qenë në gjumë, ndërsa janë zgjuar të tmerruar për shkak të hyrjes së personave në shtëpi nga dritarja. Autorët kanë kërcënuar personat që ndodheshin në banesë për të mos kryer asnjë veprim. Më pas grabitësit janë drejtuar për te vendi ku ndodheshin paratë. Aty janë marrë 6 milionë lekë të vjetra si dhe disa bizhuteri floriri. Grabitësit kanë qëndruar pak kohë në banesë, me qëllim që të mos i linin shumë kohë familjes për të lajmëruar policinë. Ata kanë arritur që t'i shpëtojnë policisë për 3 muaj rresht dhe vetëm dje është arrestuar njëri prej tyre, Shkëlzen Sherri. Ndërkohë janë shpallur në kërkim edhe 3 persona të tjerë si bashkëpunëtorë të tij.
Zbulohen edhe 8 grabitje në Tiranë
Policia e Tiranës zbuloi edhe tetë grabitje të tjera të realizuara nga personat e arrestuar në kuadër të operacioneve "Fenix", në vjedhjet me armë të bizneseve dhe "Anteo", kundër hajdutëve të makinave. Sipas policisë, janë dokumentuar vjedhjet e arkës së KESH-it në Kamzë, e ndodhur më 19 janar të këtij viti dhe vjedhja e një marketi në rrugën "Muhamet Gjollesha", e ndodhur më 10 dhjetor të vitit të kaluar.
Organizata
Policia tha se anëtarët e grupeve kriminale të arrestuar gjatë aksioneve "Anteo" dhe "Fenix" kanë qenë kryesisht të rinj që kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Ata kanë pasur në objektiv të aktivitetit të tyre vje-dhjen e pasurisë, duke përfshirë këtu makinat, shumat monetare dhe objekte të tjera të kushtueshme si bizhuteritë.