Zgjedhjet për kreun e KMSH, marshim-protestë në Kavajë
Fatos Mahmutaj
Myslimanët mar-shim proteste në Kavajë. Mëngjesin e sotëm autobusë të parkuar nëpër qendra të qyteteve do të transportojnë besimtarët për në Kavajë, ku do të protestohet, ndërsa përfaqësuesit e tyre do ndodhen në mbledhjen, që pritet të nxjerrë kreun e ri të KMSH-së. Imamët e xhamive në të gjithë vendin shfrytëzuan dje faljen e së premtes për të lajmëruar besimtarët për protestën, motivi i së cilës ishte mosshkelja e statusit të KMSH-së, përsa i përket mënyrës së organizimit të zgjedhjes së kryetarit. Veç kësaj besimtarët myslimanë firmosën dje nëpër xhami një peticion, të drejtuar përfaqësuesve të tyre në Këshillin e Përgjithshëm Drejtues të KMSH-së, si dhe vetë kreut të këtij institucioni, të cilëve u kërkonin zbatimin sipas rregullave të statutit dhe pikërisht nenit 22, në të cilin parashikohen procedurat dhe kushtet për zgjedhjen e kreut të KMSH-së. Në njoftimin që shpërndanë dje nëpër xhami, imamët pohuan se kishin marrë leje në polici për të organizuar tubimin para medresesë së Kavajës në orën 09:00 të mëngjesit në të njëjtën kohë që në sallën kryesore të medresesë do të zhvillohet mbledhja e "parlamentit" 86 anëtarësh të myslimanëve. Gjatë ditës së djeshme askush prej anëtarëve nuk ka pohuar mospraninë në mbledhje, ndërsa përfaqësuesit jo rrogëtarë të KMSH-së pretenduan se ishin përgatitur për të zhvilluar debate të ashpra me kreun Selim Muça. Konflikti mes myslimanëve shqiptarë nisi plot një javë më parë, ditën e premte, pas shpërndarjes së njoftimit nga kreu Selim Muça për organizimin e mbledhjes së këtij institucioni më datë 21 mars. Shkresa e Muçës u kundërshtua nga besimtarët dhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të KMSH-së, jo rrogëtarë të institucionit, të cilët pretenduan se sipas statusit të KMSH-së, mbledhja së bashku me materialet shpërndaheshin të paktën dy javë më parë. Po kështu sipas statusit të KMSH-së, për kreun e myslimanëve nuk mund të kandidojnë më pak se dy vetë, ndërsa realisht Muça nuk ka asnjë rival. Pas debatit publik, Muça pohoi se nuk kishte shkelur asnjë nen të statutit të myslimanëve dhe se sipas tij problemet vinin për shkak të frymës ekstremiste që ekzistonte në grupin e kundërshtarëve të tij. Duke i quajtur radikalë, ekstremistë dhe të vënë në shërbim të huajve dashakeqë ndaj fesë islame Muça tha se nuk do të tërhiqej nga kandidimi dhe mbledhja e caktuar më datë 21 mars. Ndërsa dje më anë të një prononcimi për mediat, kreu i KMSH-së pohoi se akuzat e hedhura ndaj kundërshtarëve të tij ishin të pavërteta dhe se ishin thënë në një moment emocional. Po kështu, kundërshtarët e tij, imamët e xhamive pohuan dje se më parë kishin njoftuar faljen-protestë të së premtes para selisë së KMSH-së, por kishin hequr dorë nga kjo për shkak të rrugës gjyqësore. Një padi e 10 anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të myslimanëve tashmë është depozituar në gjykatë dhe pritet të shqyrtohet nga togat e zeza. Po kështu, akuzat kundër funksionarëve të KMSH-së, për abuzimin me pronat e myslimanëve shqiptarë kanë vazhduar edhe këto ditë. Të paktën nëpër xhamitë e kryeqytetit gjatë faljes së të premtes krerët e KMSH-së janë akuzuar publikisht për shitjen e pronave fetare, fakt ky i ndaluar nga libri i shenjtë i myslimanëve, Kur'ani. Ende nuk ka pasur një përgjigje nga KMSH për akuzat që imamët kanë hedhur ndaj drejtuesve, por pritet që gjatë mbledhjes së sotme të sqarohen disa nga problemet më të mprehta të këtij institucioni.
Muça ende pa rival për kreun e KMSH
TIRANE - Selim Muça, kryetari aktual i myslimanëve ende nuk ka rival në garën për një mandat të dytë pesëvjeçar në krye të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Pak ditë më parë Muça pohoi se ende nuk kishte një rival, por në ditët në vazhdim kandidatë të tjerë do të prezantonin platformat e tyre. Por gjatë mbledhjes së sotme pritet që ai të konkurrojë i vetëm në shkelje të statusit të institucionit dhe për më tepër që ndaj tij është depozituar një padi në Gjykatën e Tiranës. Vetëpropozimi i Muçës për në krye të myslimanëve solli edhe daljen në shesh të një përçarjeje të fortë mes "të rinjve" dhe "të vjetërve" në këtë komunitet. Gjatë mandatit që sapo përfundoi Muça nuk kishte pranuar asnjëherë të fliste për një komunitet të përçarë dhe as që ka pranuar ndonjëherë se në gjirin e besimtarëve të tij ka rryma kundër njëra-tjetrës, ndërkohë që e bëri këtë në ditët e pritjes nga votimi për rizgjedhjen në krye të Komunitetit.