Ekstradohen në SHBA të kërkuarit e FBI
SHKODER - Ekstradohen drejt SHBA-së dy vëllezër nga Shkodra të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim. Fatbardh dhe Verjon Shtiza, përkatësisht 36 dhe 30 vjeç do të gjykohen nga gjykata e distriktit të Nju Xhersit me akuzën e mësipërme. Ekstradimi i dy vëllezërve u krye dje rreth orës 15:45 nga Interpol Tirana. Që nga periudha e arrestimit në qytetin e Shkodrës, më 4 dhjetor të vitit të kaluar, vëllezërit Shtiza kanë qëndruar në ambientet e burgut të Shën Kollit në Lezhë. Burime të policisë bënë të ditur se pas ardhjes së dosjes nga SHBA-ja, agjentët e FBI-së të ndihmuar dhe nga forcat e Sektorit të Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës dhe Sektori i Antidrogës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, organizuan operacionin për kapjen e të kërkuarve. Operacioni finalizoi më 4 dhjetor 2008, kur policia pasi lokalizoi zonën ku ndodheshin dy të kërkuarit, hyri në ambientet e shtëpisë me qira ku ata banonin prej disa kohësh. Vëllezërit Shtiza u kapën pas mandatit të arrestit të sjellë në Shqipëri nga FBI-ja. Mësohet se ata kishin jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tetë vjet, konkretisht në shtetin e Nju Xhersit. Vetëm pak muaj para arrestimit Fatbardh e Verjon Shtiza ishin kthyer në Shkodër, ku dhe kishin hapur një biznes të tyrin privat. r.d