E Diel, 1 Nëntor 2026

Adoleshenti qëllon me thikë nënën e 3 fëmijëve

Një 16-vjeçar ka kërkuar të blejë, por më pas i ka prerë fytin shitëses së një dyqani në plazhin e Durrësit

DURRËS - I kërkon një kapuç të leshtë e pas refuzimit të shitëses, e qëllon këtë të fundit me thikë në fyt dhe grabit gjithçka pati mundësi në dyqanin ku ajo punonte. Ngjarja ndodhi dje në mesditë, rreth orës 13:00 në lagjen 13 në plazhin e Durrësit.

Shitësja 39-vjeçare ndodhet në spital ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërsa policia ka prangosur adoleshentin 16-vjeçar, autor të ngjarjes.

Burime nga policia bëjnë të ditur se djaloshi kishte shkuar në dyqan duke kërkuar për të blerë kapuç të leshtë. Shitësja, në dyshim për qëllimet e tij, ka refuzuar.

Më pas i është kërkuar numri i telefonit i pronarit të dyqanit, por sërish është dhënë një përgjigje negative.

Si rrjedhojë, adoleshenti ka reaguar duke e goditur 39-vjeçaren me thikë në fyt. Më pas ka marrë disa rroba nga dyqani, si dhe xhiron ditore të shitëses.

Klientë të rastësishëm që kanë hyrë në dyqan e kanë gjetur gruan të plagosur, dhe e kanë dërguar për në spital, ku ajo i është nënshtruar një operacioni, duke dalë jashtë rrezikut për jetën. Pas hetimeve paraprake u arrit të zbulohej se cili ishte autori i krimit, ndërsa në banesën e 16-vjeçarit u gjetën edhe sendet e vjedhura në dyqan.

Sipas grupit hetimor, paratë e vjedhura nga dyqani ishin lyer të gjitha me gjakun e shitëses. Kjo e fundit, nënë e tre fëmijëve, mësohet se ishte edhe bashkëshortja e një ish-polici. Ndërkohë po hetohet edhe për persona të tjerë që dyshohet të kenë bashkëpunuar me adoleshentin 16-vjeçar.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›