Pukë, digjet një shtëpi, shembet një tjetër
PUKË - Një banesë është djegur plotësisht në fshatin Bugjon të komunës Fierzë të rrethit të Pukës.
Ka qenë mëngjesi i së shtunës kur banesa e shtetasit Ndue Ëngjëlli ka marrë zjarr. Në pamundësi të komunikimit me telefon, nuk është mundur të lajmërohen zjarrëfikëset, pasi vendi ku ndodhej shtëpia ishte i izoluar.
Pjesëtarët e familjes dhe fqinjët janë munduar ta shuajnë zjarrin me mjete rrethanore. Dëme në njerëz nuk ka pasur, ndërsa gjithçka kishte banesa është shkrumbuar. Sipas policisë, mendohet se shkaku i rënies së zjarrit që ka lënë pa banesë familjen Ëngjëlli ka qenë energjia elektrike. Por ekspertiza ende nuk e ka dhënë zyrtarisht versionin e saj.
Kjo familje ka 9 persona të cilët janë strehuar provizorisht nëpër fqinjë e të njohur. Vendi ku ndodhet shtëpia është rreth 100 km larg Pukës, në kufi me Tropojën.
Një tjetër familje në fshatin Bugjon të komunës Fierzë në Pukë ka mbetur pa strehë, pasi shtëpia e tyre dykatëshe është shembur si pasojë e rrëshqitjes së dheut. Banesa me dy kate në pronësi të shtetasit Zef Dedë Prendushi, ku jetonin 9 persona është shembur duke u bërë e pabanueshme.
Mësohet se terreni ku ajo ishte ngritur kishte pak kohë që kishte shfaqur shenja rrëshqitjeje dhe si pasojë e lagështirës së krijuar nga shkrirja e dëborës dhe reshjet e shiut, rrëshqitja e tokës ka qenë më e madhe dhe të dielën banesa është shembur.
Dëme në njerëz nuk ka pasur, por familja me 9 persona apelon për ndihmë pasi ka mbetur pa strehë.