Vret veten në teqe 18-vjeçari
VETËVRASJA/ Amarildo Jahaj ka zgjedhur vendin e shenjtë në fshatin e tij të lindjes për t'i dhënë fund jetës
Adoleshenti kërcënoi kujdestarin, i cili nuk pranoi që ta lejonte të hynte brenda objektit fetar, pasi ishte errur
TEPELENË- Në emër të adhurimit për Zotin vret veten në një vend të shenjtë. Një 18-vjeçar, i cili prej vitesh vuante nga çrregullime psikike, i ka dhënë fund tragjikisht jetës në teqenë e fshatit Levan të Tepelenës. Problemet e rënda mendore me të cilat përballej prej shumë kohësh duket se e kanë çuar Amarildo Jahajn drejt aktit final.
Vetëvrasja
Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Levan të rrethit të Tepelenës orët e vona të mbrëmjes së të shtunës. Pavarësisht faktit se prej disa vitesh Amarildo Jahaj jetonte në Fier, ai ka zgjedhur pikërisht fshatin e tij të lindjes, Levan, për t'i dhënë fund jetës.
Dëshmitë e të afërmve tregojnë se i riu ka mbërritur pasdite në vendlindjen e tij dhe ka qenë mjaft i heshtur. Ndërsa në mbrëmje rreth orës 19:00, në kushte tepër të rënda psikologjike, i riu i është drejtuar të vetmit objekt kulti në fshatin e tij, teqesë, i pajisur edhe me një armë zjarri të tipit pistoletë.
Me shprehje disi të pakuptimta, por që brenda tyre përmbanin fjalën "Zot" dhe idenë e bashkimit me të shumë shpejt, Jahaj ka dashur të hynte në teqe.
Kujdestari i këtij objekti është edhe personi i fundit të cilin e ka takuar dhe është përpjekur të mos e lejojë hyrjen e të riut në objektin e kultit, duke u bazuar në besimin fetar, i cili nuk lejon besimtarët të hyjnë në teqe në mbrëmje.
Por duket se gjithçka ka qenë e kotë. Me anën e pistoletës, me të cilën e ka kërcënuar, 18-vjeçari ka arritur që të hyjë me forcë në teqe.
Vetëm pak minuta më pas roja ka dëgjuar një krismë të vetme. Menjëherë ka hyrë në teqe dhe ka vënë re 18-vjeçarin Amarildo Jahaj të pajetë brenda njërës prej dhomave, me një goditje në zemër me pistoletën tip "Beretë".
Hetimet
Edhe uniformat blu të mbërritura në këtë fshat tepër të largët të rrethit të Tepelenës kanë gjetur në vendngjarje trupin e pajetë të 18-vjeçarit, pistoletën dhe një gëzhojë.
"Nga deklarimet e familjarëve të tij rezultoi se viktima vuante prej disa vitesh nga çrregullime të forta psikike dhe ky ka qenë dhe shkaku i vetëvrasjes",- kanë bërë të ditur burimet policore.
Ndërkaq, hetimet për ngjarjen po vijojnë, ndërsa është kryer këqyrja e trupit të viktimës, pozicionit të tij, si dhe faktit se ku e ka gjetur armën e zjarrit i riu. Ky është rasti i tretë i vetëvrasjeve të ndodhura në qarkun e Gjirokastrës për këtë vit. Dy rastet e para janë shënuar në rrethin e Përmetit në muajin janar.
----------------------------------------------------------------------
Vetëhelmohet adoleshentja, shkak stresi
ELBASAN - Një 17-vjeçare ka tentuar t'i japë fund jetës me helm. E.T. me banim në fshatin Mlizë të Elbasanit ka mbërritur fillimisht në gjendje të rëndë në spital. Familjarët e kanë gjetur vajzën të vetme në dhomë pasi kishte pirë helmin e fortë të fotoksinës. Vajza adoleshente, sipas familjarëve, është e heshtur dhe nuk flet shumë për veten.
Ajo prekej shumë lehtë dhe ndoshta kjo sipas tyre i ka shkaktuar një gjendje jo të mirë psikologjike. Sipas mjekëve, 17-vjeçarja e ka kaluar gjendjen shqetësuese dhe tashmë ndodhet nën vëzhgim. Ndërkohë, policia ka marrë dëshminë e familjarëve për të zbuluar shkakun që çoi vajzën drejt vetësakrifikimit të jetës. B.Nergjoni