E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati: Nuk e mbroj Ylli Pangon

Avokati dhe miku i Pangos, pohoi mbrëmë se nuk do të mbronte ish- ministrin e Kulturës në këtë histori

Gjokutaj heq dorë nga mbrojtja e Pangos

TIRANE- Avokati Genc Gjokutaj, nuk do të jetë mbrojtësi ligjor i ish- ministrit të Kulturës Ylli Pango, në lidhje me hetimin e nisur nga Prokuroria ndaj tij për abuzimet e konstatuara nga prokuroria në videon e skandalit seksual të regjistruar nga emisioni "Fiks Fare".

Videoja e transmetuar në televizionin "Top Channel", javën e kaluar, bëri që reagimi nga kreu i qeverisë Berisha të qe i menjëhershëm duke e shkarkuar atë. Ndërkaq avokati i njohur Genc Gjokutaj u shpreh mbrëmë se ai ishte mik i ngushtë i zotit Pango, por se nuk do të ishte përfaqësuesi ligjor i tij në këtë histori.

Gjokutaj e ka bërë këtë deklarim, pas ndërhyrjes së tij në emisionin televiziv "Opinion Plus" të gazetarit Blendi Fevziu, ku Pango ishte i ftuar, rreth një orë pas publikimit të videos ku Pango ishte filmuar, ndërsa tentonte të zhvishte femrën.

Gjokutaj nuk dha arsye të heqjes dorë prej tij, nga mbrojtja e Pangos në këtë histori. Gjithsesi ai pohoi se pavarësisht pamjeve, në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, nuk kishte parashikim për ndonjë vepër penale që mund të lidhej me videon.

Gjokutaj ndërkaq nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme në lidhje me largimin e tij nga mbrojtja e Pangos. "Unë nuk kam qenë ndonjëherë dhe nuk do të jem avokati i zotit Pango në këtë histori.

Ai është miku im, por unë nuk jam mbrojtësi i tij ligjor",- tha Gjokutaj. Avokati i njohur ndërhyri në një lidhje telefonike me gazetarin Blendi Fevziu gjatë emisionit të tij të drejtpërdrejtë me ish- ministrin e Kulturës Ylli Pango, pasi ky i fundit deklaroi se kishte dërguar Gjokutajn për të investiguar në lidhje me çështjen.

Gjatë ndërhyrjes, Gjokutaj tha se ai kishte takuar, por se nuk kishte kryer investigime për këtë çështje dhe nuk kishte ndërmjetësuar për të zbuluar përmbajtjen e videos. Në këtë mënyrë duket se Pango ka mbetur pa një nga miqtë e tij si mbështetës ligjorë, në betejën e tij të mundshme.

Mësohet se Pango ka kontaktuar me një avokat për t'u mbrojtur në rast se organi i akuzës do të nisë ndaj tij një procedim penal për veprat penale të korrupsionit pasiv, shpërdorimit të detyrës, apo dhe atë të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë e mbetur në tentative.

Gjithsesi ish- ministri, edhe pse ka deklaruar se do të ndërmerrte hapat ligjorë nëpërmjet avokatëve të tij, ai nuk ka preferuar dje të bëjë publike nëse do të ndërmerrte hapa të tillë.

Pango nuk ka preferuar të përgjigjet në telefon gjatë tentativës së gazetës "Shekulli", për të komunikuar me të për hapat e mundshëm që ai apo avokatët e tij do të merrnin. Po kështu ka vepruar edhe një avokat, të cilin mendohet se Pango e ka kontaktuar si mbrojtësin e mundshëm ligjor të tij.

Avokati me të cilin "Shekulli", ka tentuar të flasë nuk ka preferuar të sqarojë veprimet e mundshme ndoshta duke i ruajtur ato si as nën mëngë për organin e akuzës, apo drejtuesit e emisionit "Fisk Fare", që publikuan videon që hapi skandalin.

Gjithsesi, pavarësisht kësaj historie, penalistë dhe juristë, kanë pohuar se Pango nuk e ka të lehtë nëse do të ndërmerrte hapa ligjorë për shkak se ka pritur në shtëpinë e tij, një person me CV- në dorë, për punësim në Ministrinë e Kulturës, apo në një institut studimor.

Ndërkaq sipas tyre në këtë rast nuk mund të quhet as dhunim banese, pasi Z. Pango kishte ftuar vetë në banesën e tij femrën dhe ajo nuk i kishte hyrë me forcë aty.


Videoja skandal

"Fiks Fare" 20 minuta filmime për prokurorinë


Drejtuesit e emisionit "Fiks Fare", i kanë dorëzuar hetuesve të Prokurorisë së Përgjithshme, një material filmik prej rreth 20 minutash të regjistruar prej tyre në shtëpinë e ish- ministrit Ylli Pango, si dhe në ambiente të tjera.

Sipas drejtuesve të këtij emisioni, materiali filmik prej 20 minutash i është dorëzuar prokurorisë kishte në përmbajtje të tij, filmime dhe pjesë të papublikuara prej tyre dhe të një cilësie të dobët.

Teknikisht për ta regjistrimet kanë qenë të patransmetueshme, por që sipas tyre mund të ndihmojnë organin e akuzës për të krijuar një ide të qartë në lidhje me interesin e tyre hetimor.

Sipas tij në pjesën e patransmetuar nuk ka pamje të tjera, por se në to sipas tyre, tregohet fare qartë se nuk ka pjesë të fshira të prera apo të hequra.

Sipas tyre nuk bëhet fjalë që në pamjet që tashmë janë në duart e prokurorisë të ketë pasur montazh, apo inskenim të pamjeve. Mungesa e cilësisë në filmim si dhe e pavlefshmërisë së tyre në drejtim të dhënies së elementëve komprometues, kanë bërë që ato të mos publikohen.

Pavarësisht mungesës së interesit për publikun, ato pritet të jenë të rëndësishme për prokurorinë në drejtim të evidentimit të veprës penale. Priten pamjet të administrohen nga hetuesit si provë nëse ato pas një ekspertimi audioviziv, do të rezultojnë të rregullta të paprera, të pafshira dhe të pamontuara.


 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›