Konflikti për një gardh, fqinji plagos 37-vjeçarin
Dëmtimi i një gardhi ka futur në sherr dy familje fqinje në një fshat të Tiranës. Nga konflikti ka mbetur i plagosur rëndë një 37-vjeçar, ndërkohë që policia ka arrestuar autorin. Sipas të dhënave, konflikti ka filluar pak ditë më parë, kur Enver Sinani, me banim në Sauk, kishte kryer disa punime pranë banesës së tij. Dy ditë më parë, ai ka qenë duke punuar sërish, kur ka dëmtuar gardhin që e ndante me fqinjin e tij, Petrit Shima. Në këtë kohë, djali i Petritit, Merigleni 27-vjeçar, i ka kërkuar Sinanit t’i rregullojë gardhin. Por, për një moment, Sinani është shprehur se nuk kishte kohë të merrej me këtë punë dhe kaq ka mjaftuar që mes tyre të nisë një debat i ashpër. Në atë kohë, Mariglen Shima ka marrë një hu dhe ka goditur disa herë Sinanin, duke i shkaktuar plagë të shumta në kokë dhe në trup. Policia është njoftuar për këtë ngjarje rreth orës 14:30 dhe menjëherë atje kanë mbërritur forcat e Komisariatit nr. 1. I dëmtuari është dërguar në spitalin “Nënë Tereza”, ku aktualisht gjendja shëndetësore është përmirësuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga ana tjetër, autori është shoqëruar në ambientet e Komisariatit nr. 1, ku është marrë në pyetje nga oficerët e seksionit kundër krimit ndaj personit. Në përfundim të hetimeve paraprake është vendosur arrestimi i tij për plagosje të rëndë me dashje.
#