Pogradec, foshnja e sapolindur u vra
Foshnja e braktisur që u gjet në tarracën e spitalit të qytetit të Pogradecit ka lindur e gjallë, por është lënë të vdesë duke mos iu lidhur kërthiza dhe pastaj është hedhur poshtë dritares së repartit të reanimacionit. Për të zbardhur rrethanat në të cilat ka vdekur foshnja dhe shkaqet që kanë çuar në vdekjen e saj, trupi i pajetë i foshnjës së seksit mashkull i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Prej kësaj të fundit ka rezultuar se koha e vdekjes së fëmijës ka qenë shumë e afërt nga ajo e lindjes, çka do të thotë se ai ka lindur i gjallë dhe ka vdekur brenda pak minutave. Ky ka qenë përfundimi në të cilin kanë arritur ekspertët mjekoligjorë, sipas të cilëve foshnja mendohet se ka qenë gjallë kur është sjellë në jetë, por ka vdekur pak çaste pas lindjes së tij nga nëna, e cila nuk e ka dëshiruar këtë shtatzëni dhe mbajtjen e fëmijës së saj, që dyshohet të ketë ardhur nga një lidhje jashtëmartesore.
Sipas burimeve nga grupi hetimor që po merret me këtë ngjarje të rëndë, foshnja e seksit mashkull nga autopsia ka rezultuar se ka pasur ende të pandarë nga trupi placentën, ndërkohë që kërthiza ka qenë e palidhur. Nisur nga ky fakt, sipas ekspertëve mjeko-ligjorë dyshohet se foshnja ka pësuar asfiksi nga ajri, pak minuta pasi është sjellë në jetë nga ana e nënës së tij. Foshnjës nuk i është lidhur kërthiza, çka ka sjellë vdekjen e tij dhe është nxitur të braktiset. Sipas policisë, foshnja është lënë e vdekur në tarracën e spitalit, poshtë dritares së repartit të reanimacionit të spitalit të Pogradecit, ku dhe u gjet tri orë më vonë nga personeli mjekësor. Burimet policore thonë se autorja mbi të cilën rëndon akuza e braktisjes së fëmijës, ende nuk është identifikuar. Për të zbardhur identitetin e saj nuk përjashtohet mundësia që të nxirret ADN-ja e fëmijës së vdekur dhe të krahasohet me atë të personave të dyshuar. Lidhur me rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja, policia ka marrë në pyetje dy dëshmitarë që pretendojnë se e kanë parë gruan e panjohur të hyjë në dhomë dhe të hapë dritaren rreth orës 05:00 të mëngjesit. Ndërkohë që janë marrë në pyetje edhe anëtarë të personelit mjekësor. Mjekët dhe infermierët e pyetur kanë hedhur poshtë mundësinë që lindja të jetë bërë në ambientet e spitalit. Por ky version mbetet i dyshimtë për policinë që po heton rastin. Sipas burimeve policore, gruaja mendohet se ka lindur brenda ambientit të spitalit të Pogradecit dhe pasi ka kryer lindjen, ka nxituar ta hedhë foshnjën e vdekur nga dritarja. Edhe pse nuk janë gjetur elementë të provës që të vërtetojnë se gruaja e ka kryer lindjen brenda institucionit, nuk përjashtohet kjo mundësi, pasi autorja dyshohet se e ka lënë foshnjën menjëherë pas lindjes.
#