I sëmuri mendor vret me sëpatë babanë
Djali i sëmurë mendor masakron me sëpatë të atin, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në fshatin Lilë të Komunës Kukur të Rrethit të Gramshit. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se krimi i rëndë ka ndodhur rreth mëngjesit, por është mësuar nga familjarët e viktimës rreth orës 12:30 të së mërkurës. Viktima Halim Lila, 76 vjeç, u gjet i pajetë nga familjarët rreth 1 kilometër larg banesës së tij. Ndërsa djali vrasës, 28-vjeçari Avni Lila, është kapur pak orë pas ngjarjes. I moshuari është gjetur i shtrirë në një pellg gjaku nga familjarët, të cilët kanë lajmëruar menjëherë policinë për ngjarjen e ndodhur. Drejt vendit të sinjalizuar janë nisur menjëherë efektivë të shumtë të policisë së Gramshit. Sapo kanë mbërritur në vendngjarje, ekspertët kriminalë kanë bërë mbikëqyrjen e kufomës dhe kanë marrë dëshmitë e të afërmve. Ata kanë konstatuar se 78-vjeçari ishte goditur disa herë me sëpatë pas kokës, gjë që i ka shkaktuar dhe vdekjen e menjëhershme. Pas hetimeve paraprake është konkluduar se autor i vrasjes së të moshuarit ka qenë djali i tij 28-vjeçar, i cili prej kohësh shfaqte probleme mendore. Ai është kapur pas pak kohe nga kryerja e krimit, ndërsa mësohet se atë e bir ishin grindur mesditën e djeshme. Fillimisht policia e ka lënë evazive ngjarjen, duke hedhur dyshime për konflikte pronësie në fshat, por gjatë orëve të pasdites, zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Elbasanit, Valbona Begu, ka pohuar se “ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme në fshatin Lilaj të Komunës Kukur, në Gramsh, ku pas një debati babë e bir, ky i fundit ka goditur me sëpatë pas koke babain e tij, Halim Lila, 76 vjeç. Ndërkohë që policia ka arrestuar të birin e viktimës, 28-vjeçarin Avni Lila. Sipas dëshmive të marra nga familjarët, mësohet se 28-vjeçari ishte i sëmurë me të meta mendore. Megjithatë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje”. Ndërkohë mësohet se njëra nga pistat hetimore mbetet vërtetimi nga ana e mjekësisë ligjore nëse vrasësi është me të vërtetë me të meta mendore dhe nëse ai ka qenë i shtruar apo i kartelizuar nga spitali psikiatrik i Rrethit të Elbasanit. Ky është rasti i dytë i krimit të ndodhur brenda familjes gjatë këtij viti në Rrethin e Gramshit. Rreth tre muaj më parë, një 70-vjeçar gjeti vdekjen pasi u godit po me sëpatë në kokë nga djali i tij.
#