Adoleshenti vret 11-vjeçarin familja “mashtron” policinë
Dashamir Biçaku
Adoleshenti vret kushëririn e mitur në Shëngjergj, ndërsa të afërmit dyshohet, se tentuan të mashtrojnë kur i dëshmuan policisë se viktima vdiq pasi ra nga kali. Albiond Putja, 11 vjeç, nga fshati Shëngjergj i Tiranës ka mbetur i vdekur mbrëmjen e të hënës, pasi është qëlluar me armë gjahu nga kushëriri i tij, Misil Putja 17 vjeç, banues po në Shëngjergj. Ngjarja ka ndodhur pasditen e të hënës, rreth orës 16:00, ndërsa policia është njoftuar disa orë më vonë rreth mbrëmjes. Fillimisht hetuesve u është thënë nga pjesëtarët të familjes dhe të afërm të tjerë të autorit dhe viktimës se i mituri kishte mbetur i vdekur nga një aksident. Sipas pretendimit të së afërmve, viktima kishte rënë nga kali çka i kishte shkaktuar 11-vjeçarit plagë të rënda, të cilat më pas janë bërë shkak për vdekjen. Pasi janë përballur me variantin e një vdekje të 11-vjeçarit nga aksidenti, drejtuesit e policisë kanë dyshuar se ngjarja mund të mos ishte aksidentale dhe se të afërmit e familjes së viktimës po manipulonin lidhur me ngjarjen. Menjëherë pas marrjes së informacionit në fjalë policia është nisur në drejtim të fshatit Shëngjergj në kullotat e të cilit ndodhi ngjarja. Fillimisht blutë kanë mbërritur në banesën e të miturit, 11-vjeçarit, Albiond Putja. Hetuesit kanë marrë deklarimet e të afërmve dhe të personave të tjerë që kishin dijeni mbi ngjarjen. Gjatë këtyre veprimeve hetimore, policia ka zbuluar kontradikta në deklarimet e personave që ishin pyetur e që flisnin për “aksidentin”. Sipas tyre, vendi i ngjarjes nuk ishte i saktë, ndërsa deklarimet e disa prej familjarëve binin në kundërshtim me ato të së tjerëve. Kjo ka bërë që policia të ngrejë dyshime mbi ngjarjen, ndërsa është kërkuar që familjarët të tregojnë vendin se ku vdiq fëmija. Vendi i ngjarjes, sipas ekspertëve dhe hetuesve nuk përputhej me të dhënat e marra nga deklarimet e të afërmve. Në fund hetuesit kanë kërkuar të bëjnë këqyrjen e trupit të viktimës. Verifikimi ka vërtetuar përfundimisht dyshimet se në këtë rast bëhej fjalë për vrasje dhe jo me një rast aksidenti, ku fëmija të kishte rënë nga kali. Këqyrja ka sqaruar se 11-vjeçari kishte vdekur nga plaga e shkaktuar me çifte dhe jo nga rrëzimi prej kalit. Hetuesit më tej kanë zbuluar se autori i vrasjes ishte kushëriri i viktimës, Misil Putja. Ky i fundit ka pranuar autorësinë e krimit, ndërsa ka sqaruar se gjithçka ka qenë aksidentale, pasi arma ka shkrehur pa dashjen e tij. Ekzaminimi i çiftes tregoi se arma është shkrepur aksidentalisht. Pas këtyre veprimeve hetimore, policia ka konfirmuar autorësinë e krimit, ndërsa i dyshuari është arrestuar me akuzën e vrasjes aksidentale.