E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasen 3 autobusë të Kosovës

 

KUKES/ JONUZ HALLAÇI

Një autokolonë me tre autobusë që vinte nga Kosova u aksidentua dje për shkak të akullit të krijuar në rrugë. Sipas policisë, dje në orët e drekës, në aksin nacional Pukë-Shkodër në fshatin Luf, tre aksidente kanë ndodhur njëri pas tjetrit. Mësohet se një autobus i Kosovës për shkak të akullit rrëshqiti duke dalë nga rruga e më pas përplasur me një pemë. Pasagjerët u mbërthyen në panik, ndërsa një degë që u shkëput nga pema plagosi rëndë një nga pasagjerët. Edhe dy autobusë të tjerë që vinin kolonë pas tij kanë shkaktuar përplasje, njëri me një tjetër pemë dhe tjetri me një furgon me pasagjerë të Hasit. Për fat të mirë, përplasjet e tre autobusëve të Kosovës nuk shkaktuan të lënduar të tjerë, vetëm dëme materiale, por tmerri i udhëtarëve ka qenë i madh. Policia Rrugore bëri të ditur se shkak i kësaj situate është bërë akulli që ka mbuluar borën. Mësohet se ngricat në këtë aks kanë vështirësuar mjaft qarkullimin e automjeteve, ndërsa janë provokuar disa aksidente, të cilat nuk shkaktuan viktima. Edhe në akset e tjera, sidomos ai Morin-Kukës-Qafë Mali, gjatë natës nga ora 23:00 e së hënës gjer në 03:00 të mëngjesit të djeshëm, dhjetëra automjete janë bllokuar. Kjo situatë është shkaktuar nga automjetet e rënda që dalin nga rruga dhe bëhen pengesë për qarkullimin normal të makinave. Situata paraqitet ende e rëndë në aksin nacional, ku dëbora për shkak të temperaturave të ulëta ka ngrirë, duke provokuar incidente me mjetet që janë në lëvizje. Ndërkohë, ngricat rrezikojnë seriozisht jetën e banorëve në qytetin e Kukësit. Sasi të mëdha akujsh janë varur nëpër tarracat e pallateve. Sipas qytetarëve një situatë e tillë nuk ishte parë ndonjëherë në Kukës. Akujt që shkojnë deri në 4 metra gjatësi dhe peshojnë 200-300 kilogramë varen deri poshtë në katet e treta, madje dhe të dyta, të ngrira si pasojë e temperaturave të ulëta. "Këta akuj rrezikojnë seriozisht jetët tona, sidomos të fëmijëve", u shpreh një banore e një prej pallateve, ku akulli varej gjer në katet e poshtme. Dy ditë më parë, një sasi e madhe që u shkëput nga rëndesa shkaktoi panik te banorët, ndërsa një fëmijë pësoi plagë. Në disa raste banorët kanë ndërhyrë duke i shembur vetë ato. Por kjo kërkon kujdes dhe mjete.

Makina në humnerë, 2 plagosen
BURREL - Moti ka rezervuar dje një terren mjaft rrëshqitës për mjetet që lëviznin në aksin rrugor Milot-Peshkopi. Megjithëse ky aks është i hapur, reshjet e shiut që ranë gjatë natës dhe temperaturat e ulëta, krijuan akull në gjithë trasenë e rrugës. Shoferët pa përvojë nuk e kishin konstatuar këtë fenomen dhe nuk kishin marrë masa për vendosjen e zinxhirëve në mjetet që ato drejtonin. Pikërisht mungesa e zinxhirëve gati u ka marrë jetën Haxhi e Eduart Shira, babë e bir, banorë të qytetit të Bulqizës. Burime të policisë së Burrelit sqaruan se mjeti tip Golf me targë BZ 1397 A, i drejtuar nga Haxhi Shira, ka dalë nga rruga në vendin e quajtur Qafa e Dushkut dhe ka rënë në humnerë. Udhëtarë të tjerë kanë parë mjetin në humnerë dhe u kanë vajtur në ndihmë dy të aksidentuarve. Drejtuesi i mjetit është dërguar me shpejtësi në spitalin e Burrelit dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë Eduart Shira ka shpëtuar pa plagë dhe dëmtime trupore.             h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›