Autostrada, KRRT fton bizneset të investojnë
FIER - Përgjatë autostradës Lushnjë-Fier do të ndërtohet një qendër e madhe tregtare si dhe shumë objekte të tjera, me qëllim për t'i dhënë zhvillim kësaj zone. Bashkia e Fierit u bën thirrje të gjithë biznesmenëve të paraqesin projektet e tyre, me qëllim për të marrë miratimet përkatëse për ndërtim. Pikërisht zhvillimi urban dhe strategjia e zhvillimit në qarkun Fier ishte edhe tema në të cilën u fokusua KRRT-ja e qarkut dje. "Ne miratuam në mbledhjen e parë të Këshillit të Rregullimit të Territorit të qarkut Fier për këtë vit detyrën e projektimit të masterplanit, për mbrojtjen dhe zhvillimin urban të zonës përgjatë autostradës Lushnjë-Fier. Ky projekt ka një rëndësi të madhe, pasi shënon përcaktimin e kufijve dhe zonave që do të përdoren përgjatë kësaj rruge për ndërtim konform kritereve të përcaktuara sipas ligjit urbanistik", u shpreh kreu i qarkut, Luan Muçaj. Në bazë të projektit, në të dyja anët e rrugës nacionale është menduar të vendosen objektet e shërbimit publik bar-restorante dhe shërbime të karakterit prodhues në një distancë 40 metra nga rruga. "Iu bëj thirrje gjithë bizneseve të qarkut Fier, që në bazë të kriterit urbanistik të sjellin projektet e tyre të ndërtimit për miratim. Përgjatë kësaj autostrade do të ngrihet edhe një qendër e rëndësishme tregtare, e cila do t'i japë një hov të mëtejshëm industrializimit të këtyre 2 qyteteve", theksoi Muçaj. Në mbledhjen e djeshme u miratua një listë e gjatë studimesh dhe objektesh, ku përfshihen sheshe të ndryshme ndërtimi. Ndërkaq, studimi i territorit të komunës Mbrostar parashikon edhe ngritjen e qendrës tregtare me sipërfaqe prej 3633 metër katrorë. m.r