E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvaret: Më është mërzitur jeta

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

“Më është mërzitur jeta nga vuajtjet dhe varfëria. Po i jap fund...”. Këto pak rreshta ka mundur të shkruajë 45-vjeçari Ferdinand Bedini nga Vlora para se të vetëvarej. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në lagjen “28 Nëntori”, kur viktima u gjet i varur me një tel në oborrin e shtëpisë së tij. Sipas policisë, dyshohet se Bedini e kishte bërë planin e vetëflijimit gjatë natës në kushtet e një depresioni të rëndë. Në mëngjes, para se të kryente vetëvarjen, ai i kishte lënë babait të tij një letër, në të cilën i shpjegonte edhe shkakun e këtij veprimi fatal. Burime të policisë bënë të ditur se në letrën që kishte shkruar, 45-vjeçari i bënte të ditur të atit se po i jepte fund jetës për shkaqe ekonomike. Më tej shkruante se i ishte mërzitur jeta nga vuajtjet, varfëria si dhe papunësia. Pasi ka lënë këtë letër, viktima ka lidhur një tel në murin e shtëpisë në oborr. Mësohet se ai kishte përdorur edhe një karrige, të cilën e ka rrëzuar pasi ka kryer aktin e vetëflijimit. Rreth orës 09:00, kur babai i tij ka dalë në oborrin e shtëpisë, gjeti të birin të varur. I shokuar nga kjo pamje, i moshuari sinjalizoi policinë dhe komshinjtë e tij. Blutë mbërritën në vendin e ngjarjes dhe kryen veprimet e duhura procedurale, ndërsa bllokuan edhe letrën e lënë nga i ndjeri. Në sajë të hetimeve paraprake dhe letrës së shkruar nga 45-vjeçari, dyshohet se ai i dha fund jetës për shkak të depresionit nervor. Të afërmit e tij deponuan se ai kishte shfaqur shqetësime të tilla prej disa kohësh. Mësohet se Bedini jetonte vetëm me babanë e tij. Rreth katër vite më parë ai ishte divorcuar edhe nga e shoqja, çka e kishte rënduar gjendjen e tij. sipas policisë, papunësia, varfëria, divorci si dhe shkaqe të tjera ekonomike kanë ndikuar që 45-vjeçari të kalojë në depresion nervor dhe të zgjedhë vetëvarjen për t’i dhënë fund një herë e mirë vuajtjeve të tij. Pak kohë më parë i kishte vdekur edhe nëna. Ndërsa një vëlla që kishte jetonte i ndarë bashkë me familjen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›