Adoleshenti vret babanë, arrestohet
Elton Lika ka vrarë të atin në shtëpinë ku lindi, pasi nuk e lejoi të kthehej në Tiranë
TIRANË- Pas vrasjes së një 60-vjeçareje nga i biri në Tiranë, një tjetër djalë ka vrarë të atin. Krimii rëndë në familje ndodhi dy netë më parë në fshati Mal-Mner në komunës Zall-Bastar të Tiranës, kur Ahmet Lika, 57-vjeç, është qëlluar me automatik nga djali i tij 16-vjeçar, Elton Lika. Ky i fundit pasi vrau babanë tentoi të largohej, por u kap nga policia mëngjesin e djeshëm në periferi të kryeqytetit. Forca të shumta policie mbërritën në banesën ku ndodhi ngjarja për të bërë këqyrjen e provave. Burime nga policia thanë se pas hetimeve rezultoi se krimi ka ndodhur pas një sherri mes babait e të birit, i cili nuk donte të punonte për drutë e dimrit.Ky i fundit ka marrë një automatik dhe ka qëlluar disa herë mbi të atin duke e lënë të vdekur në vend.
Ngjarja
Familja Lika prej vitesh ishin shpërngulur nga fshatin Mal-Mner për të banuar në Tufinë në periferi të Tiranës. Por ata vazhdonin të frekuentonin shtëpinë e vjetër në fshatin e largët të kryeqytetit. Mësohet se kryefamiljari Ahmet Lika kishte shkuar në fshat për të vjelë vreshtat si dhe për të siguruar drutë në pyll. Për ta ndihmuar ai kishte marrë edhe djalin e vogël 16-vjeçar, Elton Likën. Sipas policisë, ky i fundit ishte bërë problematik për familjen, pasi shoqërohej me moshatarë të tij të cilët ishin kontingjentë policie. Për ta shkëputur edhe nga shoqëria problematike, babai kishte vendosur ta merrte me vete djalin, gjë e cila nuk ishte pranuar prej tij. Dy ditë më parë, teksa ndodheshin për të prerë dru në pyll, 16-vjeçari i ka thënë të atit se do të kthehej në Tiranë dhe se nuk donte të punonte më në fshat. Kërkesa e tij është kundërshtuar nga babai i cili ka insistuar se ai do të qëndronte në fshat. Mes tyre ka nisur një sherr, i cili ka vazhduar edhe në mbrëmje kur janë kthyer në banesë. Pas fjalëve të ndërsjella, 16-vjeçari ka marrë një armë zjarri dhe ka kërcënuar të atin duke i thënë se nëse nuk e linte të kthehej në Tiranë, do ta vriste. Por i bindur se djali i tij nuk mund t’i bënte keq,57-vjeçari ka këmbëngulur në kërkesën e tij për ta mbajtur atë në fshat. Kur ka konstatuar se nuk mundi t’i “mbushte” mendjen babait të largohej, Eltoni e ka qëlluar atë disa herë duke e lënë të vdekur.
Arrestimi
Menjëherë pas krimit, i cili ndodhi rreth orës 22:00 e së mërkurës, 16-vjeçari është larguar nga banesa ku gjendej trupi i pajetë i babait për t’u shpëtuar prangave të policisë. Kjo e fundit është lajmëruar nga një kushëri i familjes Lika, i cili banonte vetëm pak metra larg vendit ku ndodhi ngjarja. Forca të shumta policie mbërritën në vendin e ngjarjes në orët e para të ditës së djeshme për të bërë këqyrjen e provave. Pas hetimeve të para policia mundi të identifikonte autorin e dyshuar të vrasjes i cili ishte pikërisht djali i vogël i viktimës. Elton Lika po afrohej pranë shtëpisë së tij në Tufinë me qëllim që të merrte rrobat e të largohej, por është kapur nga policia. Ai u shoqërua në ambientet e policisë, ku dhe u mor në pyetje në prani të një psikologu si dhe avokatit mbrojtës. Burime nga policia thanë se adoleshenti ka pranuar krimin duke treguar me detaje edhe mekanizmin si dhe motivin e tij. “E vrava babanë se më detyronte të punoja në pyll” mësohet të ketë thënë 16-vjeçari përpara oficerëve të policisë kriminale. Pasi u mor në pyetje atij iu komunikua masa e arrestit për veprën penale të “vrasjes me dashje”.