E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata liron nga qelia kirurgun Karaj

Vendimi: Arrest shtëpie për mjekun Karaj, pasi nuk përbën rrezikshmëri shoqërore

TIRANË- Shefi i kirurgjisë në Onkologjik, Agim Karaj, do të hetohet për akuzën e “korrupsionit pasiv” dhe “shpërdorimit të detyrës” nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ky është vendimi i djeshëm i gjyqtares Marjana Dedi, e cila ndryshoi vendimin e marrë prej saj vetëm pak ditëve më parë, atë të “arrestit me burg” për kirurgun e njohur. Paraditen e djeshme, kirurgu Karaj me pranga në duar është shoqëruar nga togat e shoqërimit nga Drejtoria e Policisë së Tiranës për në sallën numër një të Gjykatë së Shkallës së Parë për të kryer verifikimin e masës së sigurisë, dhënë në mungesë nga gjyqtarja Dedi. Kjo e fundit vendosi dje që shefi i kirurgjisë, Agim Karaj nuk përbën rrezikshmëri publike, ndaj edhe do të hetohet në kushtet e arrestit shtëpiak. Vetë Karaj, në fjalën e tij para gjykatës ka kërkuar që të lirohet, duke ngulmuar se nuk i ka kërkuar asnjë pacienti lekë. “Nuk i kam kërkuar asnjë pacienti lekë për punën që kam bërë. Të gjitha këto akuzat e prokurorisë janë trillime nga një grup i caktuar që duan të më diskreditojnë në publik”,-tha Karaj, duke kërkuar lirimin nga prangat. Ndërkohë, prokurori i çështjes u shpreh se: “nuk ka ndryshuar asnjë element apo provë që ndikon në ndryshimin e vendimit të marrë tre ditë më parë për të lënë në burg shtetasin Agim Karaj. Prokuroria ka siguruar disa prova që mjeku Karaj u ka kërkuar para dy pacientëve që nuk kishin shpresë për jetën”,-tha prokurori, duke kërkuar nga gjykata lënien në fuqi të vendimit të tre ditëve më parë. Kirurgu i Onkologjikut në QSUT, u arrestua tre ditë më parë në shtëpinë e tij, pas caktimit të masës “arrest me burg” të vendosur nga Gjykata për akuzën e mitëmarrës që ka ngritur Prokuroria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›