Luftë infeksioneve që rrjedhin nga çezma
TIRANË - Për të shmangur epidemitë apo infeksionet e ndryshme që vijnë nga uji i ndotur, Ministria e Shëndetësisë do të pajisë laboratorët e Shëndetit Publik me aparatura të reja, të cilat do të shërbejnë për të siguruar cilësinë dhe vazhdimësinë e analizave laboratorike të ujit të pijshëm. Jo rrallëherë në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera uji i ndotur është bërë shkak infeksionesh dhe epidemish të ndryshme. Përzierja e ujit të pijshëm me ujërat e zeza, si pasojë e amortizimit të tubacioneve dhe infrastrukturës së dobët të ujësjellësve, mbetet një problem aktual për të gjithë shqiptarët. Ky fenomen është bërë problem kohët e fundit nga banorët e njërës prej lagjeve të kryeqytetit, të cilëve prej ditësh uji i çezmave u vinte i përzier me fekale. Për të shmangur ndonjë infeksion, banorët detyrohen shpeshherë ta blejnë ujin e pijshëm. Rasti më i fundit dhe më flagranti është ai njërës prej komunave të qytetit të Beratit, ku banorët kishin ditë që pinin ujë të përzier me gjymtyrët e të vdekurve. Shkak për këtë fenomen horrorifik që rrezikon seriozisht jetën e 5 mijë banorëve janë bërë tubacionet e amortizuar, të cilët kanë pësuar çarje, duke e përzier ujin e pijshëm të banorëve me varrezën aty pranë. Për të shmangur pikërisht këto epidemi, apo infeksionet e rrezikshme për jetën e njerëzve, Ministria e Shëndetësisë ka në plan të pajisë me aparatura të reja për monitorimin e ujit laboratorët e Shëndetit Publik. Kjo u bë e ditur dje nga zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, në konferencën e tetë vjetore, “Menaxhimi i ujërave të ndotura, detyrim social, mjedisor dhe ekonomik për Shqipërinë”. “Bazuar në legjislacionin aktual, Ministria e Shëndetësisë ka realizuar monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së ujit të pijshëm. Gjithashtu, MSH-ja ka menaxhuar edhe situatat e krijuara në rastet e ndotjes së ujit dhe ushqimit, si gastroenterite, ethe tifoide, septicemi, dizanteri, meningite, enterite të ndryshme, hepatite, poliomielit etj., sipas Organizatës Botërore të Shëndetit”, tha Ivanaj. Ministria e Shëndetësisë është autoriteti përgjegjës për monitorimin e cilësisë së ujit të pijshëm dhe ka për qëllim furnizimin e popullatës me ujë të sigurt dhe të shëndetshëm, të cilën e realizon nëpërmjet Institutit të Shëndetit Publik dhe Inspektoratit Sanitar Shtetëror. MSH-ja monitoron ujërat sipërfaqësorë bregdetarë për vlerësimin e situatës së ndotjes mikrobiologjike dhe kimike përmes ISHP-së, ndërkohë që monitoron shkarkimet e ujërave urbane, shkarkimet indirekte të tyre (lumenjve, përrenjve etj.), si dhe ujërat banjatore.