E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëshen-Kalimash, edhe 1 muaj hetim për Bashën

Prokuroria e Përgjithshme shtyn dorëzimin e dosjes në gjykatë, në mungesë të reagimeve të të pandehurve për akt-ekspertimin

Armand Teliti dhe Andi Toma njihen në prokurori me akt-ekspertimin dhe shtyrjen e afateve hetimore

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme shtyn edhe për një muaj tjetër afatet hetimore për dosjen Rrëshen-Kalimash. Paraditen e djeshme, ish-zvministri i Transporteve, Armand Teliti, dhe ish-drejtori Juridik, Andi Toma, kanë shkuar në Prokurori të Përgjithshme për skandalin e rrugës Durrës-Kukës, ku janë njohur me shtyrjen e afateve hetimore.Dy të pandehurit, Armand Teliti e Andi Toma, të shoqëruar nga avokati Genci Gjokutaj kanë hyrë në ambientet e organit qendror të akuzës për të takuar prokurorin e çështjes Durrës – Kukës, Arben Kraja. Ka qenë prokurori Kraja, ai që u ka vënë në dispozicion dy të pandehurve vendimin për zgjatjen e afateve hetimore, të firmosur nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, me kërkesë të prokurorit të çështjes.

Zgjatja e afatit hetimor me një muaj është bërë pasi deputeti pa imunitet, Lulëzim Basha dhe dy të pandehurit e tjerë, Teliti e Toma, nuk janë shprehur me shkrim në lidhje me observacionet e dy ekspertëve kontabël, të cilët kanë kryer vlerësimin e dëmit që i është shkaktuar shtetit shqiptar në ndërtimin e rrugës Durrës – Kukës. Akt-ekspertimi i dy ekspertëve kontabël, Pëllumb Ahmetaj dhe Zenun Katana ka nxjerrë një dëm kolosal që i është shkaktuar shtetit, me anë të procedurave dhe mënyrës së shpalljes së fituesit të tenderit. “Në këtë raport disa faqësh, ekspertët kontabël Ahmetaj dhe Katana kanë arritur në përfundim se drejtuesit e Ministrisë së Transporteve, me veprimet dhe mosveprimet e tyre në procedurat e ndjekura dhe përcaktimin e fituesit të tenderit për ndërtimin e rrugës Durrës – Kukës pa tunelin i kanë shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej rreth 230 milionë eurosh”,-thuhet në raportin që ndodhet në zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme.

Të pandehurit Armand Teliti e Andi Toma janë njohur dje me këtë akt-ekspertim kontabël të vlerësimit të dëmit, procedurë kjo që ministri Lulzim Basha e ka kryer kohë më parë. Sipas akuzës, i është lënë kohë një muaj personave që hetohen për këtë çështje që të dorëzojnë raportin me pretendimet e tyre në lidhje me vlerësimin. Sipas prokurorisë, dy eskpertët Katana dhe Ahmetaj nuk janë marrë me diferencat e çmimeve dhe ofertave, por vetëm me konstatimin e vlerës së ndërtimit të segmentit rrugor Durrës – Kukës pa tunelin, vlerë e cila ka njohur një rritje të madhe për shkak të funksionimit me nënkontraktorë. Kështu dy të pandehurit Teliti e Toma, të shoqëruar nga avokati Gjokutaj, pas njohjes me vendimin për shtyrjen e afateve kanë dalë nga dera kryesore e Prokurorisë së Përgjithshme 30 minuta pasi kanë hyrë, duke u larguar me një makinë të tipit “Fuoristradë”. Sipas akuzës, ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha akuzohet se ka shpërdoruar detyrën gjatë projektimit, tenderimit dhe deklarimit të fituesit për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, konkretisht të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash. Dy të pandehurit e tjerë, Armand Teliti dhe Andi Toma, akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “ushtrim të ndikimit të paligjshëm tek vartësit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›