Prokuroria në Gërdec, rivlerëson dëmet e shpërthimit të 15 marsit
TIRANË- Hetuesit e prokurorisë së Tiranës, të shoqëruar nga dy ekspertë të vlerësimeve të dëmeve, prej disa ditësh kanë zbarkuar në fshatrat Gërdec e Marqinet të komunës së Vorës, për të rivlerësuar dëmet e shkaktuara nga shpërthimi i fabrikës së demontimit. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës, të cilët thanë për “Shekullin” se pas abuzimeve të evidentuara në raportet e vlerësimit të dëmeve nga 10 ekspertët e ALUIZN-it dhe atyre të Ministrisë së Brendshme, prokuroria ka filluar hetimet ndaj këtyre ekspertëve për “shpërdorim detyre”. Hetimet e prokurorisë kanë nisur pas denoncimit të 56 familjeve të këtyre fshatrave, të cilët vlerësimin e ekspertëve e kanë cilësuar si të papranueshëm dhe nuk kanë firmosur raportet për zhdëmtimin, duke refuzuar njohjen e këtyre vlerësimeve. Pas ngritjes së këtyre pretendimeve, mësohet se organi i akuzës ka kërkuar nga Ministria e Brendshme të ngrejë një grup pune për të rivlerësuar këto pretendime të ngritur nga 56 familjet e këtyre dy fshatrave, kërkesë kjo që ka mbetur pa përgjigje edhe pas tre muajsh. Organi i akuzës, duke parë neglizhencën e Ministrisë së Brendshme, ka kontaktuar me dy ekspertët të cilët kanë qenë pjesë e grupit prej 10 ekspertëve vlerësues, por që kanë qenë dakord me kundërshtimet e 56 familjeve të këtyre fshatrave. Të dy këta ekspertë janë shoqëruar nga dy oficerë të prokurorisë së Tiranës dhe kanë zbarkuar në Gërdec dhe Marqinet për të kryer vlerësimet e dëmeve dhe marrë dëshmitë e familjarëve që kanë pretenduar për një vlerësim jo të rregullt të dëmeve të shkaktuara nga shpërthimet e fabrikës së çmontimit të municioneve nga 10 ekspertët e ALUIZNI-t dhe atyre të Ministrisë së Brendshme. Kështu, grupi i punës i ngritur nga vetë prokuroria ka filluar punën në terren duke mbledhur të dhëna dhe dëshmi, kundër 10 ekspertëve që po hetohen për “shpërdorim detyre” gjatë kryerjes së detyrës së vlerësimit të dëmit të shkaktuar nga shpërthimi i Gërdecit. Gjithashtu, burimet nga akuza shtuan se nga dy dosjet e hetimore në prokurorinë e Tiranës për këta ekspertë janë bashkuar në një procedim të vetëm penal, për të cilën po kryen hetimet.