E Diel, 1 Nëntor 2026

"Fazlliç", PS-ja rezolutë për mbështetjen e Ina Ramës

PS-ja paralajmëron se të hënën do të depozitohet projekt-rezoluta për mbështetjen e prokurorisë

TIRANË- Mbështetja e Partisë Socialiste ndaj Prokurorisë së Përgjithshme nuk mbetet vetëm në kuadrin e deklaratave mediatike. Shumë shpejt, kjo forcë politike, në mbështetje të idesë së hedhur nga kreu i saj i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, pritet të dalëme një projekt-rezolutë, që do t’i propozohet për miratim Kuvendit të Shqipërisë. Nisma është bërë e ditur dje gjatë seancës plenare, nga sekretari i grupit parlamentar socialist, Musa Ulqini, i cili duke shprehur zhgënjimin e tij për qëndrimin që mbajti kryeministri ndaj mocionit me debat për çështjen “Fazlliç”, ka theksuar se socialistët mbështesin punën e organit të akuzës në këtë drejtim. Pikërisht për këtë arsye, socialistët do të propozojnë ditën e hënë në Kuvend, një projekt-rezolutë, që në thelb ka si synim mbështetjen morale për këtë institucion. “Ditën e hënë ne do të paraqesim këtu rezolutën, si konkluzion të mocionit për debat, e cila i kërkon Kuvendit të mbështesë pa kushte prokurorinë në hetimin e shkeljes së nëntë ligjeve, në hetimin e plotë dhe serioz të kapjes së shtetit, të konfliktit të interesave të kryeministrit Sali Berisha”, - tha Ulqini gjatë fjalës së tij në 60 minutëshin e diskutimeve të lira. Ulqini njoftoi gjithashtu se kjo rezolutë duhet të përmbajë dhe një pikë të veçantë ku Kuvendi duhet të angazhohet për të forcuar legjislacionin shqiptar mbi të cilin kryhen sot aferat e ndryshme korruptive, siç është rasti i pastrimit të parave. “Rezoluta kërkon prej Kuvendit të angazhohet seriozisht në zhdukjen e çdo hapësire abuzuese dhe ashpërsimin e nëntë ligjeve të gjetura si të keqpërdorura dhe të shkelura nga Sali Berisha, qeveria dhe një tufë keqbërësish që pastrojnë paratë e pista në Shqipëri”, - shtoi Ulqini.

Debati për raportin

Ndërkohë, pjesa tjetër e debatit të lirë gjatë seancës së djeshme plenare, është përqendruar kryesisht tek progres-raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë, ku natyrisht pozita dhe opozita sollën vlerësime nga këndvështrime të ndryshme. Sipas opozitës, vendi ynë në bazë të këtij raporti rezulton se është i zhytur në korrupsion dhe krim të organizuar. Deputetët socialistë nuk kursyen kritika për qeverinë në disa fusha, kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve të paligjshme apo edhe në aspektin ekonomik, ku natyrisht vihet në dukje rritja e borxhit të jashtëm për shkak të kredive të shumta që ka marrë qeveria gjatë këtij viti. “Si mund të krenohet qeveria për këtë progres-raport, ku aty nuk kishte progres. Raporti bën kritika për Parlamentin, për punën e qeverisë. Pjesa më e errët në raport është pikërisht korrupsioni. Shqipëria është ende një lavatriçe korrupsioni”,- tha deputeti i PS-së, Taulant Balla. Ndërkohë, ish-ministrja socialiste e Integrimit, Ermelinda Meksi, kritikoi qeverinë për mospërfilljen ndaj konkluzioneve aspak pozitive për sa i përket realizimit të reformave. “Ambasadori i KE-së në Tiranë, Lohan, e tha qartë, e tha saktë që reformat janë plotësuar si gota e mbushur përgjysmë. Nuk shoh këtu çfarë s'kemi kuptuar ne nga raporti”,- tha Meksi. Si reagim ndaj këtyre akuzave, ministrja aktuale e Integrimit, Majlinda Bregu, ka replikuar me opozitën, duke theksuar se qeveria është koshiente për kritikat e KE-së, por, sipas saj nuk duhet të shpërfillen arritjet e qeverisë shqiptare që përmenden në raport. “Ne s’e mohojmë që korrupsioni mbetet ende problem serioz, por jo se qeveria nuk ka punuar ende në këtë drejtim. Na këshillohet të punojmë shumë për të shkulur me rrënjë korrupsionin në administratën tatimore, dogana. Krimi kundër luftës së organizuar mbetet problem serioz, por është miratuar një strategji kundër luftës së këtij krimi nga ana e qeverisë”, - tha Bregu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›